Lajme
Zbardhet biseda e Thaçit me gjeneralin Klark, para fillimit të bombardimeve në 1999
Demokracia
22:38 | 21 Prill 2023

Share:

Në librin e fundit të Blendi Fevziut dhe Baton Haxhiut për luftën e Kosovës janë bërë të njohura shumë detaje për rrugëtimin e njërit prej themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit.

Në librin “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi”, janë bërë publike detaje të panjohura nga biseda e Hashim Thaçit me gjeneralin Klark, pas nëshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë, transmeton Demokracia.com.

Këto janë detajet e bisedës të publikuara në këtë libër:

Imazhi i vetëm që i kishte mbetur në mend Thaçit, ishin sytë e bardhë shpues të gjeneralit Klark, Komandant i Përgjithshëm i NATO-s, ndërsa e pyeste me qetësi:

Sa ditë ka fuqi të mbijetojë UÇK-ja?”

Ishin ulur në zyrën e tij në Mons të Belgjikës. Rreth tavolinës qëndronin oficerë të lartë, që nga uniformat dukej se iu përkisnin ushtrive të vendeve anëtare. Ishte grupi i ngushtë i komandimit, që shumë shpejt do të niste luftën e parë të vërtetë të Aleancës që kishte krijuar 50 vjet më parë për të mbrojtur botën demokratike nga kërcënimi komunist.

Z. Gjeneral, ne mbijetojmë që prej një viti përballë ushtrisë serbe. UÇK-ja do të mbijetojë në çdo rrethanë, të jeni të sigurt“.

Fjalët e tij duhet të kenë qenë patetike ose jo shumë bindëse për Komandantin e NATO-s. Në momentin e parë, për ta bërë bisedën më të çlirët, Klark e kishte pyetur për moshën.

29 vjeç“, i qe përgjigjur Thaçi.

Pak a shumë sa djali im“, – shtoi gjenerali, duke qenë njëherazi i dyzuar për moshën e re, por edhe informacionet që kishte. Shërbimi Sekret i Ushtrisë, por edhe ai i CIA-s i kishin vendosur mbi tavolinë një analizë, sipas së cilës, mbështetja tek UÇK-ja në terrën ishte thuajse e pamundur. Ata shënonin se pavarësisht entuziazmit dhe dëshirës, formacioni më shumë se një ushtri, ishte një grup gueriljesh që vështirë të mbijetonin në rrethanat e një lufte të vërtetë. Gjenerali nuk donte ta thyente entuziazmin e djalit të ri që kishte përballë, por nuk ishte i gatshëm as ta besonte verbtazi atë;

Kur të fillojnë bombardimet, dhuna serbe mund të jetë e tmerrshme; është shumë e rëndësishme që ju të mbijetoni! Ne nuk mund t’ju ndihmojmë direkt brenda territorit të Jugosllavisë“.

Djali i ri duket se nuk u impresionua shumë nga fjalët e rënda të Komandantit të Përgjithshëm të NATO-s. Ai kishte një tjetër shqetësim:

Z. Gjeneral, në qoftë se pala serbe vazhdon refuzimin, a do ta bombardoni Ushtrinë e tyre?”

Po, ne do t’i sulmojmë!” – iu përgjigj shkurt.

Klark heshti disi më gjatë. Pyetja i takonte Sekretarit të Përgjithshëm Havier Solana, por ai e ndjente se Thaçi ishte ende mosbesues. Ndër të gjithë anëtarët e delegacionit që kishte takuar atë paradite, përfshirë ata që e prisnin jashtë, anëtarët e UÇK-së do të ishin më të rrezikuarit.

Të ngjashme