Lajme
“Zajednica nuk do të bëhet kurrë”, përralla e ëmbël që e tregonte Konjufca para një viti
Demokracia
14:36 | 02 Shkurt 2023

Share:

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili vazhdon të fshehë qëndrimet nën petkun e kësaj pozite, i pati dhënë garanci mbarë popullit para një viti se nuk do të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

“Unë mendoj që jo; nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrëfarë Asociacioni – As kësi e as asi – sepse, nëse është Bashkim i Komunave Serbe në çfarëdo mënyre, unë mendoj që nuk duhet të ndodhë kurrë, kështu besoj që edhe do të jetë”, deklaronte ai, shkruan Demokracia.com.

I pari i Kuvendit, që dha një zotim kaq të madh, nuk e tha asnjë fjalë sot në seancën plenare ku shefi i tij, Albin Kurti, bëri të ditur se e ka pranuar themelimin e “Zajednicës”.

Vetëvendosja bashkë me Kurtin e Konjufcën hoqën dorë nga kauza 10 vjeçare për “Zajednicën”, për të cilën nuk kishin lënë gur pa lëvizur për mos-lejimin e themelimit të saj.

Kurti përgjatë seancës plenare, teksa njoftoi publikisht për herë të parë se e ka pranuar Asociacionin, e kamufloi qëndrimin e tij duke paraqitur gjashtë parimet e Qeverisë së Kosovës për themelimin e saj.

“Asociacioni i Komunave, si një mekanizëm i tillë nga Kosova mund të konsiderohet me këto kushte: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës; Nuk mund te jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emri, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik; Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave cfarëdo të drejta për serbët në Kosovë. Duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi; Para vendosjes së Asociacionit, duhet të shuhen strukturat ilegale në veri dhe armët ilegale duhet të dorëzohen; Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke me ç’rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së dhe e fundit, Vuçiqi të tërheq letrat mosnjohëse që ka dërguar ndaj pesë shteteve të Bashkimit Evropian”, tha më pas Kurti në fjalën e tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme