Intervista
Yuri Kim tregon kush i mblodhi provat për të shpallur non grata Sali Berishën
Demokracia
17:24 | 20 Janar 2022

Share:

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka deklaruar se SHBA u shokua nga dhuna e ushtruar gjatë protestës së 8 janarit në selinë e PD-së, për të cilën u shpreh se askush nuk do të shohë dhunë politike, ndërsa kërkoi që ajo t’i lihet së kaluarës. Në një intervistë për “Euronews” dhënë gazetares Erla Mëhilli, u bëri thirrje demokratëve dhe shqiptarëve të zgjedhin të ardhmen, duke u dhënë rëndësi marrëdhënieve me SHBA-në dhe duke luftuar korrupsionin.

Kim konfirmoi se SHBA ka një partneritet të mirë me zotin Basha dhe kjo do të vazhdojë. Për sa i përket shpalljes “non grata” të ishKryeministrit Sali Berisha, ambasadorja amerikane u shpreh se ky vendim u mor nga DASH në bashkëpunim me agjencitë e tjera dhe ekspertë, të cilët i kanë parë dhe vlerësuar faktet. Teksa u ndal në ecurinë e Reformës në Drejtësi, Yuri Kim u shpreh se në vendin tonë ka shumë njerëz që do të donin që ajo të mos funksiononte, sepse përfitojnë nga kjo. Ambasadorja amerikane foli gjithashtu edhe për tri prioritetet e saj, të paralajmëruara që në krye të herët. Bëhet fjalë për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.

Do t’ju pyes. Por, investimet amerikane në këto dy vjet, cilat janë këto investime? Cilat janë kompanitë që kanë ardhur në Shqipëri?

 Ambasadorja Kim: Vitin e kaluar, kishim dy kompani shumë të mëdha amerikane që kanë filluar projekte këtu. Njëra është Bechtel që do të merret me hidrocentralin e Skavicës. Kjo është në fazën 1, atë të eksplorimit. Nëse dhe kur projekti të mbarojë, do të jetë kontrata më e madhe tregtare amerikane, jo vetëm në Shqipëri, por në rajon. Bashkë me këtë, një tjetër kompani e madhe amerikane e quajtur Exxon do të sjellë gaz të lëngshëm natyror në Vlorë, tek ai që është termocentral dhe do të konvertohet. Përtej kësaj, ka kompani të tjera amerikane që kanë investuar këtu. Pra, aktualisht, jemi në një trajektore pozitive dhe, në fakt, po shihja shifrat dhe vura re që për tregtinë, vitin e kaluar arritëm 162 milionë dollarë, një rritje 47% krahasuar me vitin e mëparshëm dhe për FDI, kaluam nga 89 milionë në 151 milionë. Nuk janë shifra shumë të mëdha, por lajmi i mirë është që mendoj se jemi në një trajektore për të arritur shifra gjithnjë e më të mëdha me kalimin e viteve.

Cila është perspektiva? Do të vijë ndonjë kompani tjetër e madhe në vendin tone? Sepse në opinionin publik nuk ka ndonjë boom investimesh amerikane, të paktën ky është perceptimi mes njerëzve. Cila është perspektiva?

Ambasadorja Kim: Mendoj se perspektiva është shumë pozitive dhe e them sepse, së pari, Shqipëria ka një forcë punëtore të mrekullueshme, të re, çka është avantazh në rajon; së dyti, Shqipëria po punon mirë me fqinjët e saj. Për shembull, gjëra si Ballkani i Hapur, që synon të rrëzojë barrierat mes vendeve për ta bërë biznesin më të lehtë. Kjo do të ndihmojë sepse Shqipëria është vend me 2.8 milionë banorë, një popullsi jo shumë e madhe, pra jo treg shumë i madh. Por kur e kombinon me të gjithë të tjerët në rajon, prandaj ka rendësi që Ballkani i Hapur të mbetet i hapur vërtet për të gjithë gjashtë vendet. Kur i bën bashkë, bëhet një treg ku kompanitë amerikane dhe të tjerët do duan të investojnë, do duan të vijnë. Kjo është pozitive. Mendoj që do të më pyesësh cilat janë mangësitë, pengesat.

Jo, në fakt ju i dhatë përgjigje pyetjes që unë doja t’ju bëja. A është Shqipëria një treg tërheqës për kompanitë amerikane apo është një treg i vogël, por ju e dhatë përgjigjen tuaj. Ajo që dua t’ju pyes është kjo: Si e shikoni klimën e biznesit në Shqipëri? Kur pyes këtë, ka të bëjë edhe me procedurat burokratike, eficiencën e qeverisë, garancitë e kontratave, sistemin e drejtësisë dhe korrupsionin. Dua t’ju kujtoj që Dhoma Amerikane e Tregtisë ka pasur vazhdimisht kritika, edhe së fundi, për klimën e biznesit dhe korrupsionin. Edhe Departamenti i Shtetit i SHBA ashtu ka pasur raporte kritike. Si e shikoni klimën e biznesit në vendin tonë?

Ambasadorja Kim: Është saktësisht ashtu. Keni shumë të drejtë. Ka potencial të jashtëzakonshëm këtu në Shqipëri por ka pengesa dhe qeveria shqiptare duhet të bëjë disa gjëra për ta bërë mjedisin këtu më mirëseardhës. Një nga këto gjëra është t’i bëjë rregullat më racionale, më të qarta dhe më transparente. Kjo është një gjë. Tjetra – ku është lidhja midis reformës në drejtësi dhe biznesit – duhet të kemi gjykata të pastra me qëllim që bizneset amerikane të vendosin të investojnë. Ja çfarë shohin bizneset amerikane, çfarë shohin kompanitë kudo në botë kur shohin tregje të reja: a ka treg? Shohin madhësinë e tregut, sa fitim mund të kenë. Shohin nëse rregullat janë të qarta. A mund të nxjerrin fitim duke respektuar këto rregulla? Dhe së fundi, shohin rastin më të keq: nëse ka një mosmarrëveshje për një kontratë, a ka një sistem gjykatash ku mund të marrin një vendim të drejtë, racional? Në këtë moment, përgjigja është: ndoshta. Po kjo është pse theksoj se pasi Shqipëria të ketë gjykata të pastra, pasi investuesit dhe publiku të kenë besimin se vendimet bazohen në ligj dhe jo në ngacmime apo ryshfete siç ndodh tepër shpesh, atëherë do të shihni shumë më tepër investime këtu në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria është në një trajektore për t’u bërë vend normal por ka shumë punë përpara.

Në fakt, meqë kaluam te reforma në drejtësi dhe pikërisht për këtë dua t’ju pyes. Kontributi kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vitet e fundit ka qenë pikërisht reforma në drejtësi. Ju keni dhënë një kontribut politik, financiar edhe teknik. Objektivat kryesore të kësaj reform kanë qenë: një sistem ose një drejtësi më eficiente, më profesioniste, më e çliruar nga korrupsioni. Të paktën këto kanë qenë objektivat e deklaruara në një tryezë me Presidentin e Republikës në vjeshtën e 2014-ës. Sot, pas 7 vjetësh, duket se fokusi ka qenë vetëm tek korrupsioni ndërkohë që sistemi nuk është më eficient, nuk është më as më profesionist se ç’ka qenë; ka akuza, jo nga politikanë por edhe nga profesionistë të drejtësisë se sistemi është future në një kolaps. Mos i është dhënë luftës kundër korrupsionit më shumë përparësi se sa duhej ndërkohë kur individët dhe bizneset, që sapo përmendëm, kishin dhe kanë nevojë për një sistem që funksionon, së pari?

Ambasadorja Kim: Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por mendoj se nëse shikoni faktet, po bëhet përparim drejt zbatimit të plotë. Mendoj se janë dhimbjet e rritjes. Kanë kaluar pesë vjet nga miratimi i reformës në parlament dhe në këto pesë vjet, vitet e para kanë qenë veçanërisht të vështira. Kështu, për tre vjet për shembull, Gjykata Kushtetuese nuk funksiononte dot. Vitin e kaluar, të gjitha institucionet përkatëse, nga Presidenca, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Avokati i Popullit, e kushdo tjetër kontribuoi dhe bëri pjesën e vet për të sjellë më shumë gjykatës, më shumë gjykatës në Gjykatën Kushtetuese. Tani funksionon. Mendoj se këtë vit do të shohim më shumë gjykatës të emëruar që të keni trupën e plotë. Ajo që kam vërejtur këtu për reformën në drejtësi është se ka shumë njerëz që do të preferonin shumë që të mos funksiononte. Se është shumë mirë siç është. Se përfitojnë nga kjo. Dakord?

Kush janë këta?

Ambasadorja Kim: Nuk mendoj se janë shumica e qytetarëve Shqiptarë. Mendoj se Shqiptarët e zakonshëm duan ta shohin reformën në drejtësi të zbatuar. Mendoj se, për shembull vitin e kaluar, kur panë zyrtarë të lartë që arrestoheshin nga SPAK, menduan: më në fund, reforma në drejtësi po funksionon. Mendoj se meritojnë më shumë dhe mendoj se kanë të drejtë të vazhdojnë trysninë tek të gjitha institucionet e drejtësisë, të vazhdojnë trysninë tek të gjithë politikanët.

Megjithatë, Zonja Ambasadore, përtej entuziazmit që ju përmendni, numri i çështjeve në gjykatat e vendit është shumë i madh, numri i çështjeve të patrajtuara. Dhe kjo është po aq e rëndësishme sa korrupsion sepse qytetarët po vonohen të marrin drejtësi në shkallët e ndryshme të gjyqësorit. Ndërkohë, numri i gjyqtarëve është ulur. Do doja t’ju pyes një pyetje të drejtpërdrejtë: a duhet të mbajë dikush përgjegjësi për mosparashikimin e këtyre pasojave që kjo reformë solli në mënyrën se si u konceptua?  Opozita ka bërë kritika. Kritikat që ka bërë opozita janë pikërisht këto me të cilat përballet sistemi i drejtësisë sot, që fatkeqësisht po i shohim që po vërtetohen. A duhet të mbajë dikush përgjegjësi për mosparashikimin…

Ambasadorja Kim: Mendoj se ata që janë kritikë të zbatimit të reformës në drejtësi ngrenë disa pika me vend dhe mendoj se pjesë e procesit të një reforme kaq të madhe sa kjo është të dëgjosh kritikat. Të mos pretendosh se ke të drejtë gjithë kohën dhe askush tjetër të mos flasë. Këtë e shohim si pjesë e procesit. Kur shohim probleme, nuk përpiqemi të gjejmë fajtorin. Loja me fajin nuk është produktive. Në vend të kësaj, përqendrohemi tek zgjidhjet. Për shembull, kur shohim stokun shumë të madh të çështjeve në sistemin e drejtësisë, Ambasada e SHBA, përmes USAID financon ata që quhen zyrtarë të uljes së stokut. Ky është një grup profesionistësh që ndihmojnë për të administruar çështjet. Nuk marrin vendime për çështjet, prandaj dua ta sqaroj këtë keqkuptim. Janë gjykatësit që vendosin. Por puna administrative që kërkohet për çdo çështje përpara se ajo të arrijnë në tryezën e gjykatësit, këtë bëjnë zyrtarët e uljes së stokut. Kjo është e para. E dyta, jemi shumë të lumtur të shohim vetë institucionet e drejtësisë që të shohin se çfarë funksionon, çfarë nuk funksionon dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje që i japin Shqiptarëve të zakonshëm rezultatet që duan. Për shembull, tani po shohin hartën e re gjyqësore që synon të thjeshtojë procesin, të konsolidojë disa gjykata. Mendoj se të gjitha këto ide ia vlejnë të eksplorohen. Është diçka që nuk duhet të bëhet çështje partiake. Janë çështje kombëtare. Të gjitha partitë në të gjithë spektrin e mbështetën reformën në drejtësi në 2016 dhe mendoj se është vërtet e rëndësishme për të gjitha partitë në të gjithë spektrin që të vazhdojnë të mbështesin zbatimin e saj të duhur dhe të plotë.

Znj. Ambasadore, përmendët hartën e re gjyqësore. E mbështesni këtë hartë të re? A është një lëvizje e nxituar apo e detyruar për shkak të gropës që ka krijuar procesi i vetingut në burimet njerëzore? Sepse ka akuza që flasin se kjo nuk sjell garanci për akses në drejtësi.

Ambasadorja Kim: Mendoj se kur shihni probleme, duhet të kërkoni zgjidhje. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë asistencë teknike për të ndihmuar gjejtne e zgjidhjeve për këto probleme por të shohim se ç’do ndodhë.

Por a e mbështesni ju hartën e re të gjyqësorit?

Ambasadorja Kim: Mbështesim përpjekjen për të gjetur një zgjidhje. Po mbështesim përpjekjen për të parë hartën gjyqësore.

Okej. Zonja Ambasadore, ka pasur akuza se organet e vetingut kanë funksionuar me disa standarde, që vetingu ka qenë selektiv, i politizuar, madje është përfolur për korrupsion me shifra të larta. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, a i ka vërejtur këto problematika?

Ambasadorja Kim: Ka një bord ndërkombëtar ekspertësh që mbikqyrin procesin, ose siç sugjeron emri e monitorojnë procesin dhe vlerësojnë gjithë kohën. Jemi në një pikë në proces ku duhet të shohim mire e mirë, më nga afër se më parë, për të siguruar që, siç vini në dukje ju, që vendimet të jenë konseguente, që kriteret të aplikohen në mënyrë të drejtë dhe racionale, dhe që rezultatet të jenë të shpjegueshme. Mendoj se ky është një nga projektet e mëdha që duhen ndërmarrë në 2022.

Okej, ju e mbështesni zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut, pra të kësaj trupe që është aktualisht. Për sa kohë që ka një perceptim për to, që është trupë e politizuar, selektive, me standarde të dyfishta, dhe e korruptuar, a do ishte mirë të zëvendësohej me një organ të ri, për sa kohë ekziston ky perceptim për këta?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ONM, ekspertët, së bashku me institucionet shqiptare duhet të shohin faktet, të shohin të dhënat, të shohin çështjet, të shohin argumentet dhe racionalen pas vendimeve, dhe të nxjerrin disa përfundime. Nuk mendoj se është e dobishme domosdoshmërisht të dëgjosh debatin partiak sepse siç jua thashë, mendoj ka njerëz që kërkojnë mënyra për ta ndaluar zbatimin e reformës në drejtësi. mendoj se shumë njerëz ndihen shumë rehat dhe mendoj që do donin ta kthenin kohën pas që të jetë siç ka qenë, ku ka pandëshkueshmëri, nuk ka llogaridhënie. Merr ryshfet, s’të ndodh gjë. Nënshkruan kontrata, s’të ndodh gjë. Jep prokurime tek miqtë, s’të ndodh gjë. Kjo do të ndryshojë së shpejti. Po ndryshon.

Në fakt, perceptimi i opinionit publik ky është, që njerëzit që janë në qeveri dhe në pushtet, nuk gjykohen. Vetëm ata që janë larguar nga pushteti gjykohen – ish-ministra, ish-kryetarë bashkie. Kur do të vijë dita që kjo drejtësia të gjykojë ata që janë në pushtet? Duhet të presim të largohen nga pushteti apo duhen gjykuar tani?

Ambasadorja Kim: Mendoj që SPAK po bën detyrën e vet. Janë duke dhënë rezultate. Një ndryshim i madh lidhur me perceptimet publike të reformës në drejtësi, dhe SPAK në veçanti, këtë vit krahasuar me vitin e kaluar, është se dikur njerëzit talleshin me SPAK. Kishte disa shaka. Tani, pavarësisht kujt partie i përket apo ku banon, nëse diçka shkon keq, thonë: do të të çoj në SPAK. Kjo na tregon se besimi publik tek SPAK dhe reforma në drejtësi po rritet. Mendoj se ata që janë në pushtet, zyrtarët e lartë kanë detyrën ekstra për t’u siguruar që të zbatojnë ligjin. Dhe mendoj se nëse iu kërkohet llogari për shkelje të ligjit, nuk duhet të habiten dhe nuk mund të presin më imunitet.

E qartë. Zonja Ambasadore, do të kaloj tani tek aktualiteti por që ka të bëjë edhe me forcimin e demokracisë, një nga objektivat që ju keni patur në fillim të mandatit tuaj. Në maj, Sekretari Amerikan i Shtetit Blinken bëri dizenjimin publik të Sali Berishës. Duhet thënë që Z. Berisha kishte 8 vite që nuk mbante më asnjë pushtet dhe kur nuk ke pushtet nuk bën dot korrupsion. Zonja Ambasadore, si mund të luftohet korrupsioni duke goditur dikë që nuk ka më pushtet?

Ambasadorja Kim: Ka të bëjë vërtet me korrupsionin dhe procesi për dizenjimin e dikujt për përfshirje në korrupsion domethënës merr vite. Nuk bëhet brenda ditës, nuk bëhet nga një individ. Nuk bëhet nga teori konspirative. Nuk është diçka që mund të zhbëhet. Ideja se ky është një dizenjim që në njëfarë mënyre është hakmarrje politike, apo se ndodh sepse nuk na pëlqen pozicioni i dikujt mbi Kosovën, apo se ndodh se dikush na urdhëroi; gjëja më dashamirëse që mund të them për këtë lloj argumenti është se është fantazi. Fantazi! Ja faktet. Më shumë se 200 persona janë dizenjuar nga Departamenti i Shtetit për përfshirje në korrupsion domethënës. Të gjitha ato raste kalojnë një proces shumë rigoroz shqyrtimi nga një numër agjencish. Këtu përfshihen qindra njerëz, qindra ekspertë që kalojnë të gjitha të dhënat. Ekzaminojnë çdo provë dhe pastaj ndërtojnë një paketë. Pra, kur arrin në tryezën e Sekretarit të Shtetit, cilitdo sekretar shteti, pavarësisht i cilës parti, pavarësisht i cilës administratë, Sekretari ka sigurinë që informacioni është tërësisht i besueshëm. Ja një fakt tjetër: nga 200 e ca personat që janë dizenjuar nga Sekretari i Shtetit, e dini se sa emra janë që kur i pa publiku mendoi: epo, çfarë surprise! Nuk e dinim!? Zero. E di ni se sa persona ia kanë dalë të zmbrapsin përcaktimet që iu janë bërë? Zero. Shqipëria nuk është përjashtimi i rregullit. Nuk ka surpriza këtu. Provat janë përpara syve të të gjithëve. Përpara syve tuaja. Dhe siç thuhet në deklaratën e dizenjimit nga Sekretari i Shtetit, personat i ikën ndjekjes penale jo se ishin të pafajshëm. I ikën ndjekjes penale sepse përdorën pushtetin e tyre, abuzuan pushtetin për të siguruar që do të mbeteshin mbi ligjin. Dhe ajo që po themi me anë të këtyre përcaktimeve është se askush, askush nuk është mbi ligjin…

Pra kjo është një nga arsyet …

 Ambasadorja Kim: …dhe nëse përdorni… Më lejoni të mbaroj. Nëse e përdor autoritetin e postit për të shkelur ligjin, për të vjedhur nga vendi yt, dhe pastaj përdor forcën politike për të intimiduar të tjerët, për të mos lejuar ndjekje penale, ndjekjen e duhur penale, kjo nuk është më e pranueshme. Kështu ka qenë për disa kohë. Presidenti Biden e ka bërë ekstra të qartë. Vitin e kaluar, nxori disa Proklamata Presidenciale si dhe disa Urdhra Ekzekutivë që i kërkojnë Departamentit të Shtetit dhe pjesës tjetër të Qeverisë së SHBA që t’iu kërkojnë llogari personave për përfshirje në korrupsion domethënës apo përpjekje për të minuar demokracinë kudo në botë dhe specifikisht në Ballkanin Perëndimor.  Pra, përgjigja është që kjo s’ka të bëjë me as gjë tjetër; nuk ka të bëjë me pikëpamjet politike; nuk ka të bëjë me teori konspirative; nuk ka të bëjë me ato fantazitë, por ka të bëjë me faktet. Dhe faktet janë përpara syve të tu, të mi, dhe të popullit Shqiptar. Janë të dukshme.

Zonja Ambasadore, meqë përmendët faktet, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke iu përgjigjur kërkesës së një media këtu në Shqipëri tha se burimet ku ishin mbështetur Sekretari Amerikan i Shtetit dhe Departamenti Amerikan i Shtetit për të marrë këtë vendim ishin nga shoqatat joqeveritare, qeveria dhe mediat. Këto janë të vetmet burime?

Ambasadorja Kim: Jo, absolutisht jo. Absolutisht jo. Do të thotë që marrim në konsideratë një gamë të gjerë informacioni që është në dispozicion publikisht dhe jo publikisht, pra informacion nga burime të hapura, informacion që është i mirënjohur për publikun, si dhe burime më konfidenciale. Më lejoni të theksoj përsëri, ky është një proces disavjeçar që përfshin shumë agjenci të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Nuk është vetëm Departamenti i Shtetit. Përfshihen agjenci si Departamenti i Thesarit, FBI, CIA; përfshihen një gamë ekspertësh për të parë faktet; së pari, për të mbledhur faktet dhe pastaj për të shqyrtuar faktet, dhe pastaj ndërtimi i një dosjeje që Sekretari i Shtetit të ketë besim ta nënshkruajë. Kështu ndodhin këto përcaktime. Nuk ndodhin sepse dikush i tha diçka dikujt, ka një thashethem, prandaj a s’di ishte mirë të bënim hakmarrje? Është fantazi. Është fantazi. Vendimet tona bazohen në fakte. Po ju them edhe diçka tjetër lidhur me përcaktimet. E dini, njerëzit thonë ose janë përpjekur me argumentin: epo, nuk ka dosje provash, prandaj me siguri s’ka bazë. Këto përcaktime sipas 7031(c) janë shumë specifike. Nuk është çështje ligjore. Ndaj, në 200 e ca përcaktimet që ju përmenda, në asnjë rast nuk paraqesim një dosje provash. Nuk është ky procesi. Prandaj, përsëri, Shqipëria nuk ka për të qenë përjashtim në këtë rregull. E di që njerëzit janë mësuar të jenë përjashtimi. E di që të përcaktuarit janë mësuar të përjashtohen nga rregullat. Por për këtë, nuk do t’i shpëtoni rregullit, ndjesë!

Pra, a do të çoni prova në gjykatë në Paris apo në një gjykatë në Shqipëri apo…

Ambasadorja Kim: Sapo ju thashë, nuk shkon ashtu …

Nuk do të çoni prova…?

Ambasadorja Kim: …Nuk ndodh ashtu …

…edhe nëse jua kërkojnë në një gjykatë në Paris …?

Ambasadorja Kim: Nuk ndodh ashtu. Nuk ndodh ashtu. Nuk ndodh ashtu.

Po çfarë ndodh, nëse gjyqi, Z. Berisha e ka hedhur në gjyq në një gjykatë në Paris Sekretarin Amerikan të Shtetit Z. Blinken. Nëse do të kërkoheshin prova, ju nuk do t’i dërgoni ato? Si është procedura, si…

Ambasadorja Kim: Nuk do të komentoj për fantazi apo hipoteza. Më pëlqen të jetoj në një botë bazuar në fakte.

Po për qeverinë e tanishme, a keni fakte? Se keni thënë shumë shpesh që do të ketë non-grata, vendime të tjera non-grata.

Ambasadorja Kim: Më lejoni të përsëris se Shtetet e Bashkuara janë serioze sa më s’ka kur flasim për korrupsionin dhe përpjekjet për të minuar demokracinë. Jemi seriozë sa më s’ka  kur themi se të gjithë, të gjithë udhëheqësit do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Më lejoni të them edhe, siç kam përsëritur vitin e kaluar: nëse je përfshirë në korrupsion, nëse abuzon autoritetin e pushtetin e postit, nëse abuzon me besimin publik, tani është koha për të ndaluar dhe menduar pasojat. Tani është koha për të vënë në peshoree nëse ajo që po bën dhe po përfiton ia vlejnë koston që në fund do të duhet të paguash. Drejtësia po vjen dhe në mos gjë tjetër, përcaktimet që kanë bërë Shtetet e Bashkuara, vjet dhe tashmë këtë vit, demonstrojnë se cilido do të japë llogari. Askush nuk është mbi ligjin. Askush.

E qartë. Z. Basha e përmend shpesh në retorikën e tij këto kohët e fundit se Z. Rama, Z. Berisha dhe Z. Meta i bashkon non-grata. A ka ndonjë informacion për këtë ai? Në retorikën e lidershipit të PD-së thotë se kjo qeveri nuk do ta shijojë të gjithë mandatin katër-vjeçar sepse do të vijnë non-grata të tjera.

Ambasadorja Kim: Shikoni, thuajse çdo javë, dakord, jo çdo javë, por çdo muaj, shoh një artikull apo ndonjë gazetar që thotë: e di kush është personi tjetër që do shpallet; do të ketë përcaktime. Me gjithë respektin, them se ky është një proces shumë konfidencial dhe do të habitesha vërtet shumë nëse deklaratat e tyre do të bazoheshin në informacion faktik, të besueshëm.

Pra, Z. Basha nuk ka informacion për non-gratat, është thjesht retorikë politike nga ana e tij?

Ambasadorja Kim: Ne nuk e ndajmë këtë informacion me askënd.

Okay. Zonja Ambasadore, pse nuk u mjaftuat ju me shpalljen non-grata të Sali Berishës por kërkuat nga Partia Demokratike edhe ta përjashtonte atë nga grupi parlamentar, kur duhet thenë që në aspektin ligjor dhe kushtetues ky përjashtim nuk e ndikonte mandatin e Z. Berisha. Pra, pavarësisht përjashtimit, ai mbetet po prapë deputet.

Ambasadorja Kim: Mendoj që votuesit duhet të zgjedhin se kush i përfaqëson më mirë. Dhe partitë duhet të zgjedhin kush i përfaqëson më mirë. Tani, ajo që kam bërë të qartë publikisht dhe privatisht, që e ka bërë të qartë Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar, e ka bërë të qartë Sekretari Blinken, dhe është bërë e qartë nga Presidenti: nuk është normale dhe nuk është e pranueshme të kesh dikë të përcaktuar për korrupsion madhor që të jetë fytyra e këtij vendi; fytyra e cilësdo parti. Nëse do të ndodhte kjo, do të kishte pasoja. Pra, nuk jut hemi për kë të votoni, por mendojmë se duhet të merrni vendime të informuara. Në këtë kuptim, kemi bërë shumë të qartë që nëse Partia Demokratike apo cilado parti drejtohet nga dikush, përfaqësohet nga dikush që është përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor, atëherë nuk mund të presësh një marrëdhënie normale. Kaq bëmë, ofruam informacion.

E qartë. Z. Basha e ka bërë të qartë se u detyrua nga SHBA dhe ju për ta marrë këtë vendim. A është e vërtetë kjo? E detyruat ju dhe a duhet të funksionojë kështu demokracia?

Ambasadorja Kim: Një nga gjërat që vë re këtu në Shqipëri është që ka një tendencë për të folur mbi kush detyroi kë, kush sabotoi kë, kush është peng, kush është kukull, kush është  blerë, kush është shitur. Shiko, jemi të gjithë të rritur. Marrim vendime ose duhet të marrim vendime bazuar në informacion, bazuar në gjykimin tonë më të mirë. Ne i ofruam Z. Basha, siç bëjmë publikisht, informacion lidhur me çfarë do të thotë përcaktimi dhe cilat janë pasojat. Dhe, besoj se bazuar mbi atë informacion, Z. Basha dhe të tjerët morën vendimin e tyre.

I keni dhënë Z. Basha privatisht fakte apo prova për këtë dizenjim?

Ambasadorja Kim: Epo, thatë privatisht, apo jo? Bisedat private janë private.

Okay, por me përgjigjen tuaj kuptova që Z. Basha duhet të mbajë përgjegjësi për vendimet e veta dhe jo t’ia faturojë në njëfarë mënyre presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Ambasadorja Kim: Mendoj se mori vendimet e tij dhe mendoj se të gjithë jemi përgjegjës për vendimet tona.

Znj. Kim, megjithatë, SHBA kanë shpallur non-grata edhe Z. Dako, i cili deri në shtator 2021 ka qenë anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste dhe ka akuza nga demokratët që ka qenë i përfshirë edhe në zgjedhjet e fundit në 25 prill. Ju nuk keni ushtruar të njëjtin presion tek Edi Rama dhe Partia Socialiste, të paktën publikisht. Pse?

Ambasadorja Kim: Do t’ju këshilloja të shkonit të shihnit faktikisht se çfarë mund të kem thënë për të përcaktuarit përpara zgjedhjeve.

Okay. Publikisht, në perceptimin e publikut edhe timin, duket sikur nuk keni ushtruar të njëjtin presion ndaj qeverisë. Gjithsesi…

Ambasadorja Kim: Do të thoja këtë: mos u fokusoni tek audio, fokusohuni tek pamjet. Çfarë ndodhi? Çfarë patë? Cili ka qenë rezultati? Dhe do t’ju kërkoja të nxirrni përfundimet tuaja bazuar, përsëri, në fakte, jo retorikë.

Z.Dako nuk është më në kryesinë e PS. Gjithsesi, në këtë fushatë ka qenë aktiv në zgjedhje.

Ambasadorja Kim: Mendoj se ngelet ende shumë punë përpara nesh.

Qartë. Zonja Ambasadore, nëse pas gjithë kësaj që po ndodh, sigurisht që PD është e përçarë, dhe nëse kjo force politike kthehet në një forcë irrelevante për të marrë pushtetin, për ndërruar pushtetin, drejt fitores, a ia vlejti kjo masë?

Ambasadorja Kim: Shiko, kur flasim për demokraci, mbrojtje dhe biznes, ajo që mbështesim në Shqipëri është një demokraci reale dhe e gjallë. Për të pasur një demokraci reale, të gjallë, të duhet një opozitë reale, e gjallë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Faktet janë që Partia Demokratike ka qenë jetike për zhvillimet e këtij vendi. Në momente kyçe, Partia Demokratike e ka udhëhequr këtë vend përpara. Nuk do të thotë se s’ka vend për përmirësim. Nuk do të thotë që duhet të qëndrojë e ngrirë tek e kaluara. Ajo që duam të shohim është një Shqipëri, është demokracia në Shqipëri, një opozitë në Shqipëri që sheh përpara, me këmbët përpara, me sytë përpara. Do t’i kthehem 8 janarit, mendoj kur njerëzit panë pamjet, kur njerëzit dëgjuan retorikën, mendoj se u skandalizuan. Siç e dini Shtetet e Bashkuara u skandalizuan. Nuk duam të shohim askënd ta tërheqë këtë vend mbrapsht në të kaluarën, në një lloj politike që nuk do ta shohë askush. Askush nuk do që të shohë dhunë politike. I përket të kaluarës. Lereni në të shkuarën.  Askush nuk do të shohë gaz lotsjellës në rrugë. I përket të kaluarës. Duhet ta hedhim tej këtë lloj gjëje. Duam të shohim një Shqipëri që është vendosmërisht në familjen perëndimore, që do të bëjë pjesën e saj si anëtare e NATO-s, që bën përparimin e nevojshmë për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Europian, që vepron në një mënyrë që është në përputhje me staturën e saj në rritje në botë. Për shembull, Shqipëria tani është anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky është një pozicion jashtëzakonisht i rëndësishëm. Shqipëria ulet në krah të Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Francës, Kinës, Mbretërisë së Bashkuar. Ulet në një tryezë serioze dhe mendoj se udhëheqësit e saj, qofshin në opozitë dhe sidomos nëse janë në qeveri, duhet të sillen në përputhje me këtë staturë.

Qartë. Megjithatë, Zonja Ambasadore, vendi ka nevojë të shkojë përpara, jam dakord. Por a jeni ju dakord që për shkak të kësaj të sakrifikohet pluralizmi politik? Sepse me këtë përçarje që ka sot Partia Demokratike dhe opozita e vendit, rrezikon që kjo qeveri, Partia Socialiste dhe Edi Rama të rrijë 16 vjet në pushtet.

Ambasadorja Kim: Mendoj se doni ta mbani vështrimin përpara dhe mendoj se është me rendësi të mos kapeni tek ajo që gjendet në një çast përpara syve. Nuk është aty ajo që ka rendësi. E pranoj që është një periudhë e dhimbshme dhe se është arsye për dhimbje dhe konflikt dhe e shohim këtë, por është edhe një moment qartësues. Partia Demokratike duhet të vendosë se çfarë përfaqëson; dehet të vendosë se nga e ka drejtimin; duhet të vendosë se cila do të jetë marrëdhënia e saj me Shtetet e Bashkuara. Shpresojmë që Partia Demokratike do të dalë më e fortë, më e bashkuar, dhe se do të shohë përpara, se do të marshojë drejt së ardhmes, se do ta vendosë veten në pozitat ku është e aftë të fitojë zgjedhje, e aftë të jetë qeveria, të jetë e aftë për të qenë partnere e Shteteve të Bashkuara, këtë duam të shohim.

 E qartë. Zonja Ambasadore, një partner i besueshëm ka nevojë edhe për stabilitet në sjelljen e tij, qoftë nga opozita apo nga mazhoranca. Ju i keni dhënë mbështetje të hapur Z. Basha këto kohë. Megjithatë, Z. Basha në të shkuarën jo shumë të largët ka marrë vendime qartazi kundër kërkesave dhe qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç është djegia e mandative, bojkoti i zgjedhjeve, tentativat për të prishur zgjedhjet e 29 qershorit 2019. Ndërkohë, opinion publik ka dëgjuar edhe për një lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj. Veprime më anti-amerikane në kuptimin e principeve amerikane, nuk ka bërë ndonjëherë ndonjë udhëheqës në Shqipëri, ndoshta edhe në Ballkan. Ju sot e deklaroni një partner të besueshëm. Ia keni falur këto veprime Z. Basha? Mund të themi që e keni falur?

Ambasadorja Kim: Së pari, keni futur shumë komente aty dhe keni përfshirë shumë nga opinionet tuaja ndaj më lejoni të sqaroj. Pa iu përgjigjur komentit tuaj editorial mbi natyrën e marrëdhënies sonë me Z. Basha apo vlerësimin tonë për performancën e Z. Basha, do të them vetëm këtë: PD është jashtëzakonisht e rëndësishme. Z. Basha mbetet udhëheqësi i zgjedhur i PD-së. Ne besojmë në marrëdhënie me institucionet. Institucionet janë kritike për demokracinë. Ne do të vazhdojmë të takohemi me udhëheqësin e zgjedhur të PD-së dhe, në përvojën tonë, kemi pasur një partneritet të mirë me Z. Basha, dhe kjo do të vazhdojë.

Në një demokraci, vota është mekanizmi që zgjidh çdo debat. E tha edhe Z. Escobar. Kjo vlen edhe për demokracinë brenda një partie politike. A do ta inkurajoni ju votën për zgjidhjen e këtij konflikti brenda Partisë Demokratike?

Ambasadorja Kim: Mendoj se partitë kanë rregullat e tyre dhe duhet t’i vendosin udhëheqësit e tyre bazuar në rregullat e tyre dhe në përputhje me ligjin më gjerësisht. Nuk më takon mua ta them.

Okay, zonja Ambasadore, përpara se t’ju pyes edhe për 8 janarin, kohët e fundit ka pasur disa koncesione dhe afera korruptive nga ana e qeverisë. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit e nënvizon korrupsionin. Cili është pozicioni juaj ndaj këtyre aferave?

Ambasadorja Kim: Do ta përsëris – jemi seriozë sa më s’ka për korrupsionin dhe jemi seriozë sa më s’ka për t’iu kërkuar llogari atyre që përfshihen në akte korrupsioni domethënës, atyre që abuzojnë dhe tradhtojnë besimin publik për përfitimet e tyre. Ndaj, nuk mendoj se mund t’i shtoj shumë këtyre fjalëve për të sqaruar se cili është pozicioni ynë por duhet të jetë shumë, shumë e qartë për cilindo se ku qëndrojnë Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë çështje.

Zonja Ambasadore, protesta e 8 janarit. Ju bëtë një tweet gjatë asaj proteste ku u fokusuat tek forca e përdorur nga protestuesit, ndërkohë që edhe prokuroria edhe mediat pamë se kishte dhunë edhe nga ana tjetër, pra që vinte nga brenda godinës. Si do t’iu përgjigjeshit akuzave se ju ishit e njëanshme në këtë reagim tuajin?

Ambasadorja Kim: Nuk jam fort e sigurt ç’doni të thoni? Si mund të jesh e njëanshme kur thua se s’duhet të ketë dhunë politike? Vetëm nëse pala tjetër thotë se duhet të ketë dhunë politike, rast në të cilin, po, jam e anshme. Jam kundër dhunës politike. Shtetet e Bashkuara janë kundër dhunës politike. Shiko, mendoj se njerëzit u skandalizuan. E di që njerëzit në Uashington, miqtë e Shqipërisë kudo në botë u skandalizuan kur panë ato pamje njerëzish që thyenin dritare, shkulnin dyer, dhunën, grushtet, gjakun. Ka një hetim për këtë çështje tani dhe mendoj se nuk më takon të jem ajo që përcakton fajin. Të presim dhe të shohim çfarë do të nxjerrë hetimi.

Zëvendës Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte në selinë e PD-së ditën përpara protestës. Besoj e pa situatën brenda që kishte dyer të blinduara, fortifikime. A jut ha se çfarë kishte parë atë ditë aty?

Ambasadorja Kim: Kemi shumë biseda, të cilat nuk kam për t’i zbuluar në televizion.

Okay. A është normale në gjykimin tuaj Zonja Ambasadore që deputetët të mos lejohen të hyjnë në selinë e tyre, në partinë e tyre?

Ambasadorja Kim: Mendoj se nuk më takon të komentoj. Partitë kanë rregullat e tyre dhe duhet të respektojnë rregullat e veta.

Okay, dhe një pyetje tjetër. Çfarë do të ndodhë në rast se demokratët do të zgjedhin Sali Berishën kryetar të tyre? Çfarë raporti do të keni?

Ambasadorja Kim: Mendoj se anëtarët e partisë duhet të mendojnë me shumë kujdes, siç e thashë më parë, lidhur me kush janë, lidhur me rolin që do të luajnë në politikën shqiptare dhe në demokracinë shqiptare, lidhur me çfarë do të duhet për të fituar zgjedhje, lidhur me çfarë duan të jetë marrëdhënia e tyre me Shtetet e Bashkuara. Mendoj se i kanë faktet. Unë do të vazhdoj si përfaqësuese e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe specifikisht e Presidentit Amerikan që të bëj të qartë se cili është pozicioni i SHBA, dhe të ofroj informacion që njerëzit ta shqyrtojnë si pjesë e procesit të tyre vendimmarrës. Por është një vendim vërtet i rëndësishëm dhe është një kohë vërtet e rëndësishme. Shqipëria është në një pikë kthese dhe ne shpresojmë që Shqiptarët, pavarësisht nëse i përkasin kësaj apo asaj partie, që do të vazhdojnë të shohin nga e ardhmja, të zgjedhin të ardhmen, të vazhdojnë ta ndërtojnë këtë vend në një mënyrë që forcon demokracinë e tij, çrrënjos korrupsionin, bën të qartë që askush nuk është mbi ligjin, që bën të qartë se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë partnere. Ky është partneriteti më i forte që mund të shoh se ekziston kudo në botë dhe ndoshta në atë kuptim jam e anshme, që favorizoj Shqipërinë, por në dy vitet që kam qenë këtu, nuk mendoj dot për një tjetër vend ku kemi një mik më të mirë, ku populli Shqiptar, ku vendasit janë më miqësorë, më mirëseardhës dhe mikpritës se sa populli Shqiptar. Ndaj, në fakt jam optimiste se njerëzit do të marrin një vendim të mençur, por në fund të fundit është vendimi i tyre.

Zonja Ambasadore, nuk do të pyes më për politikën e brendshme. Shqipëria është zgjedhur anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Qeveria amerikane luajti një rol të madh në të. Ndërkohë që shpreh mirënjohjen për atë rol, cila është pritshmëria nga Shqipëria në këtë rol në KS të OKB për herën e parë? Cila është pritshmëria nga ky rol?

Ambasadorja Kim: Shqipëria tani është pjesë e një prej tryezave më të rëndësishme në botë për të vendosur për çështje shumë serioze, kudo në botë, ndaj mendoj se duke ndërtuar mbi mandatin e përkohshëm të Shqipërisë si Kryetare e radhës e OSBE, ky është një hap më i madh. Dhe, siç e përmenda më parë, Shqipëria praktikisht është ulur në krah të Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Francës, Mbretërisë së Bashkuara, për të menduar, diskutuar dhe vendosur për çështje kyçe kudo në botë. Për shembull, vetëm në javën e fundit, pati diskutime mbi lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut në shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB, pati diskutime mbi sulmet që drodhën dhe humbjet e jetëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, pati diskutime mbi Sudanin, pra kudo në botë që mund të imagjinosh, Shqipëria tani duhet të mendojë përtej kufijve të saj. Pra, është e mrekullueshme. Ky vend është shndërruar nga vendi që njihej si eremit i Europës, Koreja e Veriut e Europës, në një prej zërave kryesorë të saj në botë. Ndaj jemi shumë të lumtur që jemi ulur me Shqipërinë në krah. Presim me kënaqësi të bashkëpunojmë. Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe ju thatë disi më herët se Shqipëria i detyrohet Shtetet e Bashkuara për këtë vend. E vërteta nuk mund të ishte më larg kësaj. Është e qartë që e mbështesim fort që Shqipëria të marrë një profil më të lartë, por shikoni çfarë ndodh me Këshillin e Sigurimit. Janë pesë vende që janë anëtare të përhershme që i përmenda. Pastaj janë dhjetë anëtarë të përkohshëm që vijnë për mandate dyvjeçare në kohë të ndryshme pra çdo vit, zgjidhen pesë për mandate dyvjeçare. Këtu përfshihet lobimi, bindja e anëtarëve të tjerë të Kombeve të Bashkuara që të votojnë për to dhe mendoj se flet shumë për Shqipërinë fakti që vende të tjera anembanë botës vendosën se Shqipëria Meriton një vend në Këshillin e Sigurimit. Ndaj jemi të lumtur ta shohim këtë.

E qartë. Zonja Ambasadore, bashkëpunimi ushtarak midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duket më i fortë se kurrë. Stërvitja e madhe Defender 21 u zhvillua në Shqipëri. NATO po investon në aeroportin e Kuçovës. Ndërkohë që së fundi, qeveria e SHBA vendosi të ketë në Shqipëri bazën operacionale SOCEUR. A mund të na shpjegoni rëndësinë e gjithë këtyre zhvillimeve për rolin e Shqipërisë në rajon, në NATO, dhe në partneritetin me Shtetet e Bashkuara?

Ambasadorja Kim: Ja se çfarë duam të bëjmë me Shqipërinë. Siç e dini, vitin e kaluar festuam 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, pasi u çlirua nga komunizmi. Këtë vit, do të festojmë 100 vjet marrëdhënie midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, që u vendosën në 1922, kur Shqipëria ishte ende mbretëri. Është një vit i madh, kanë ndodhur shumë. Dhe, edhe nëse heqim 50 vjet kur Shqipëria ishte e izoluar nga diktatura komuniste, kemi pasur përparim të jashtëzakonshëm. Këtë vit, në njëqind-vjetorin e marrëdhënieve, duam ta çojmë marrëdhënien në një nivel shumë më të lartë. Vitin e kaluar, siç e përmendët, patëm Defender Europe 21, stërvitja më e madhe ushtarake drejtuar nga SHBA në Ballkan ndonjëherë dhe Shqipëria ishte mikpritësja kryesore e stërvitjes.  Kishim tre gjeneralë me katër yje që erdhën në Shqipëri, plus deri 6,000 trupa. Secili prej tyre, kur u largua nga Shqipëria, u largua me ndjenjën se nuk kemi aleat më të fortë apo më besnik. Ndaj ajo që duam të bëjmë është që të sigurohemi që besnikëria dhe guximi i Shqipërisë të përputhen me aftësitë e saj. Ndaj do të shikoni më shumë trajnime së bashku, më shumë stërvitje së bashku, dhe do të shikoni më shumë investime nga ushtria e SHBA në Shqipëri.

 Zonja Ambasadore, në Adriatik, po kryen stërvitje aeroplanmbajtësja Harry Truman. Cili është qëllimi i kësaj stërvitjeje dhe a lidhet me përgatitjet për ndonjë skenar të mundshëm konflikti në Ukrainë?

Ambasadorja Kim: Forcave të SHBA iu kërkohet të jenë gati në çdo kohë ndaj, këto lëvizje që ndërmarrim për të siguruar lirinë e lundrimit, për shembull në Azi, apo linjat e lira të komunikimit në Europë, janë normale. Po ashtu kryejmë stërvitje në mënyrë të rregullt ndaj në njëfarë mënyre janë të lidhura, por edhe të palidhura me ndonjë ngjarje aktuale.

Zonja Ambasadore, përmendët pak më parë se cilido kur largohet, ikën me një ndjenjë …nga ju vjen ky besim nga amerikanët, të huajve?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është shumë e qartë kur cilido vjen në Shqipëri – ky është vend i veçantë. Është një vend vërtet i veçantë. Dhe për mua si diplomate, e di edhe për kolegët e mi diplomatë që janë këtu, nuk janë takimet me zyrtarët e qeverisë, edhe pse e dimë që janëtë nevojshme dhe janë edhe shumë produktive, por pjesa më e mirë kur je në Shqipëri është të udhëtosh përreth vendit dhe e di që për mua kështu ka qenë dhe pres me kënaqësi të udhëtoj më shumë sepse dua të dëgjoj më shumë se çfarë kanë në mend njerëzit. Dua të di mendimet e tyre të vërteta dhe e di që ndonjëherë, kur i përmbahem kalendarit zyrtar, e dini, është i planifikuar, njerëzit janë përzgjedhur. Dua të flas me njerëz të vërtetë dhe ndonjëherë marr mendime që janë surprizë për mua.

Në fakt, i kam ndjekur me interes vizitat tuaja nëpër Shqipëri, takimet me njerëzit të thjeshtë. Shumë miq të mi të huaj më thonë që Shqipëria është një vend që ose e dashuron ose e urren. Nuk ka vijë të mesme. Ju hyni tek ata që janë dashuruar me këtë vend?

Ambasadorja Kim: Nuk njoh njeri që nuk është i dashuruar me Shqipërinë. Ndaj, edhe një herë, më duhet të mos jem dakord me ju. Vërtet nuk kam takuar njeri që nuk largohet duke thënë: e dua këtë vend.

Zonja Ambasadore, përpara se të bëj një pyetje të fundit personale, dje ishte në visitë Presidenti i Turqisë, Z. Erdogan dhe tha që duhet të zgjidhet çështja e Gulenit. A jeni ju e shqetësuar për vendimet që mund të amrrë qeveria shqiptare, duke pasur parasyshj miqësinë midis Shqipërisë, Turqisë, Z. Rama, Z. Erdogan?

Ambasadorja Kim: Nuk do komentoj për këto çështje. Janë për të tjerë njerëz por ajo që do them është: Ne e vlerësojmë shumë Turqinë si aleate në NATO ashtu si vlerësojmë Shqipërinë si aleate në NATO. Dhe duhet të jemi në gjendje të mbështetemi tek njëri-tjetri. Siç e dini, NATO përballet me një sfidë të madhe dhe kjo vjen nga Rusia në një krizë që e kanë gjeneruar ata vetë. Dhe duhet të jemi të qartë këtu se kush janë aleatët dhe miqtë tanë, dhe se çfarë duhet të bëjmë bashkë për t’u përballur me sfidat përpara. Do them këtë: mendoj se populli shqiptar e di shumë mirë se çfarë ndodh bazuar në përvojat e tyre në histori. Kur shohim situatën në Ukrainë, Rusia ka nxjerrë shumë keqinformim lidhur me çfarë ndodh atje. Dhe duhet të tregojmë faktet këtu. Faktet janë: është Rusia ajo që pushtoi Ukrainën përmes Krimesë në vitin 2014; është Rusia që është përpjekur të destabilizojë demokracinë e Ukrainës; është Rusia që ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufij; është Rusia që po kërcënon popullin ukrainas; është Rusia që ka çuar në 14,000 ukrainas të vdekur gjatë viteve të fundit. Ndaj, mendoj se duhet të jemi të qartë për faktet. Kemi nevojë të jemi të qartë për aleancën tonë dhe qëllimin e aleancës sonë. Në këtë front, siç them në demokraci, mbrojtje dhe biznes, kemi shumë punë përpara dhe vërtet pres me kënaqësi të merrem me të, me të gjithë partnerët tanë në të gjitha krahët, qofshin në qeveri, qofshin që synojnë të vijnë në qeveri, dhe sigurisht me njerëzit e zakonshëm.

Zonja Ambasadore, kur jemi në një skenar prag luftee midis Rusisë dhe Ukrainës, a mund të themi që Rusia mund të rrisë mekanizmat e saj të influencës në Ballkanin Perëndimor. A keni vëmendje të shtuar nga ju për rrezikun e një ndikimi rus në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Mendoj se kanë një historik të caktuar, në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë. Kanë një histori të caktuar këtu në Shqipëri dhe nuk mendoj se ndokush në Shqipëri ka nevojë t’i jap unë leksion për sfidat me të cilat përballemi.

Zonja Ambasadore, meqenëse kemi ardhur në fund, kam një pyetje të fundit për ju. Ky është viti i fundit i mandatit tuaj në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: E di që ka shumë thashetheme nëse do të largohem. Mendoj se ndonjëherë, ndoshta ka njerëz që dëshirojnë që do të largohesha herët dhe jo vonë. Ajo që iu kam thënë shefave të mi në Uashington është që mbetem shumë e nderuar që përfaqësoj Shtetet e Bashkuara këtu në Shqipëri dhe nuk kam asnjë dëshirë të largohem herët dhe pres me kënaqësi të përvesh mëngët dhe të punoj më fort se kurrë më parë gjatë vitit që kemi përpara. Ka shumë punë për të bërë. Ka kaq shumë potencial në marrëdhënien midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe pres me kënaqësi ta eksploroj edhe më shumë vendin.

Thatë që nuk dëshiroj të largohem më përpara nga Shqipëria. Jua kanë ofruar këtë mundësi, të largoheni më herët?

Ambasadorja Kim: Jam këtu dhe nuk kam në plan të shkoj tjetërkund gjatë kohës së mandatit tim.

Jeni përfolur si një ndër kandidatët e mundshëm për në Korenë e Jugut, si ambasadore atje. Dhe nuk është vetëm vendi juaj i origjinës por edhe një nga postet më të rendësishme në diplomacinë amerikane. Ka të vërtetë këtu?

Ambasadorja Kim: Jo me sa di unë. Jam këtu. Jam e përqendruar tek Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria.

…në të ardhmen?

 Ambasadorja Kim: Kush e di çfarë ka në të ardhmen.

Të ngjashme
Intervista • 28 Mars 2024