Analisti politik Visar Ymeri ka vazhduar me kritikat ndaj Albin Kurti, duke e akuzuar atë për përpjekje për të kontrolluar mendimin e qytetarëve dhe për t’i trajtuar ata si thjesht numra elektoralë.
Ymeri tha se Kurti beson se duke pasur në dorë shtetin, ai mund të përcaktojë edhe çfarë është e vërteta.
“Albini është i bindur që ai mundet me kontrollu mënyrën se si mendojnë njerëzit. Dmth kur e ka në dorë shtetin, ti pastaj edhe e përcakton çka është e vërteta. Psh me ligjin, Albin Kurti po thotë që qeky ligj interpetohet qeshtu, pikë”, theksoi ai në “VV Show” duke kritikuar qasjen e Kurtit.
Sipas Ymerit, Vetëvendosje, partia e Kurtit, përdor manipulime për të ndryshuar realitetin politik.
“Dmth nëse mendësia e Vetëvendosjes është që ne nëse ia ndërrojmë emrin Asociacionit dhe i themi vetëmenaxhim atëherë kjo punë u kry, tash është më mirë”, ironizoi ai, duke e cilësuar këtë si mashtrim ndaj qytetarëve.
Duke iu referuar fushatës zgjedhore të Kurtit, Ymeri tha se Kurti nuk ka treguar asnjëherë interesim për nevojat reale të qytetarëve, por ata i ka konsideruar veç numra.
“Kurti ka thënë me jepni 500 mijë vota, as nuk ofrojke program. Kur thu ti qashtu, qysh po i sheh ti qytetarët, veç numra. A ka thënë në ndonjë moment Kurti gjatë fushtatës, për çka kanë nevojë qata 500 mijë njerëz. Ai nuk u marrë hiç me atë punë, për të njerëzit janë veç numra,” deklaroi Ymeri.