Lajme
Ymeri: Asociacioni mund ta dërgojë vendin në zgjedhje, nuk do të ketë rezultate ‘spektakolare’
Demokracia
22:56 | 07 Janar 2024

Share:

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të marrë dinamikë të re gjatë vitit 2024. Zbatimi i marrëveshjes mes të dyja vendeve to të jetë tema kryesore e vitit dhe se përbrenda kësaj, temë kryesore për Kosovën do të jetë zbatimi i Asociacionit.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, ka thënë për Front Online se shenjat e para të zbatimit të marrëveshjes tashmë kanë filluar.

“Shenjat e para të fillimit të zbatimit të marrëveshjes tashmë i kemi parë: prej zbatimit të marrëveshjes së kamotshme për targat e deri te fillimi i zbatimit të marrëveshjes, po ashtu të kamotshme, për energjinë. Në deklarimin e fundit për këtë gjë zv. kryeministri Besnik Bislimi ka dhënë disa indikacione të asaj se si do të jetë plani i balancuar i sekuencimit të zbatimit për të cilën ka insistuar gjatë qeveria e Kosovës”, është shprehur Ymeri.

E, sa i përket zbatimit të marrëveshjes, Ymeri thotë se kjo gjë ka ndryshuar që nga takimi i tetorit të vitit të kaluar kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq u takuan me tre liderët evropian.

“Prej takimit të tetorit në Bruksel ku edhe kryeministri Kurti edhe presidenti i Serbisë Vuçiq u takuan me tre liderët kryesor evropian, gjërat kanë ndryshuar dukshëm në drejtim të zbatimit të marrëveshjes. Zbatimi do të jetë tema kryesore e vitit, e përbrenda kësaj teme të madhe zbatimi i Asociacionit do të jetë tema kryesore për Kosovën”, ka thënë ai.

Ymeri: Kushtetuesja do të ketë punë të rëndësishme në draft-statutin e Asociacionit

Ish-bashkëpartiaku i Albin Kurtit tani drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri thotë se çështja e Asociacionit do të jetë pikë kryesore e dialogut, ashtu siç edhe ka qenë në vazhdimësi.

Por, kur flet për çështjen e Asociacionit Ymeri, pohon se kryeministri Kurti dhe Qeveria kanë qenë disi të dykuptimtë karshi kësaj teme.

“Deri tash kryeministri Kurti dhe Qeveria kanë qenë disi të dykuptimtë (thënë së buti) karshi kësaj çështjeje: në njërën anë gatishmëria e kryeministrit ta pranojë që aty tekstin e draft statutit dhe pastaj deklarimet e tij të fund vitit se ka gatishmëri ta shkruajë një Statut në bashkëpunim me ministrat e qeverisë”, ka thënë ai.

Por, pavarësisht kësaj Ymeri deklaron se në fund të fundit draft-statuti do të jetë ai që është propozuar nga Bashkimi Evropian.

Ymeri përmend edhe disa pika në këtë draft të propozuar nga BE-ja e që sipas tij janë elemente të autonomisë.

“Po e vërteta mbetet një, përtej deklarimeve të politikës ditore. Draft- statuti do të jetë ai i propozuar nga BE e në të cilin pastaj do të përfshihen për aq sa është e mundshme komentet e palëve. Këtu vijmë te pikat problematike të cilat janë ngritur në opinionin publik prej se është publikuar teksti i draftit e që kanë të bëjnë me Rezolutën 1244, Komisionin e Arbitrazhit, përfshirja e Serbisë në sistemin arsimor e shëndetësor të komunitetit serb në Kosovë. Pra, përgjithësisht me elementet problematike të autonomisë goxha të gjerë e të thellë që parashihet në atë dokument”, ka pohuar Ymeri.

Por të paqartë e sheh dërgimin e këtij draft-statuti në Gjykatën Kushtetuese, pa u shndërruar në vendim të Qeverisë.

Dhe, për këtë thotë se kjo e fundit do të ketë punë të rëndësishme në trajtimin e këtij drafti.

“Gjykata Kushtetuese do të ketë punë të rëndësishme në trajtimin e këtij drafti. E shkuarja deri te ajo mbetet ende e paqartë marrë parasysh se qeveria po insiston që të dërgohet në Gjykatë pa u shndërruar drafti njëherë në vendim qeverie”, ka thënë ndër të tjera Ymeri.

A do ta dërgojë Asociacioni vendin në zgjedhje? Kështu përgjigjet Visar Ymeri

Kohëve të fundit janë shtuar zërat për zgjedhje të parakohshme.Madje, po thuhet që njëra ndër pikat që ndoshta mund ta dërgojë vendin në zgjedhje parlamentare mund të jetë tema e Asociacionit.

Drejtori i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’ thotë se zgjedhjet mund të jenë mjeti përmes të cilit kryeministri Kurti dhe Vetëvendosje synojnë ta ndajnë përgjegjësinë për zbatimin e marrëveshjes.

“Nëse do të shkojmë në zgjedhje ose jo për shkak të dialogut do të varet shumë prej dinamikës së dialogut. Nëse gjasat janë të mëdha që marrëveshja të zbatohet shpejt (pra në gjysmën e parë të vitit) atëherë nuk mendoj se Kosova do të ketë mundësi të shkuarjes në zgjedhje sepse kjo do t’i shtynte afatet e zbatimit”, është shprehur ai.

Sipas tij, zvarritja e dialogut do të prodhonte paqartësi shtesë për Kosovën.

“Gjatë këtij viti për shkak të luftës në Ukrainë, luftës në Lindjen e Mesme, si dhe për shkak të zgjedhjeve në BE dhe në ShBA në vjeshtë jemi duke hyrë në një situatë politike globale shumë më të pa parashikueshme. Dhe në këtë drejtim zvarritja e procesit të dialogut mund të prodhojë paqartësi shtesë për Kosovën”, ka shtuar Ymeri.

Sondazhet për partitë politike/ Ymeri: Nuk mendoj se do të ketë rezultate spektakulare në zgjedhje sikur ato të vitit 2021

Në një sondazh të publikuar së fundmi sa u përket partive politike, Lëvizja Vetëvendosje ka rënë nën 50%. Ani pse këta po thonë se në zgjedhjet e ardhshme, do të kalojnë përsëri këtë përqindje.

Por edhe partitë opozitare po deklarojnë se do të fitojnë bindshëm në zgjedhjet e ardhshme.

Lidhur me këtë, Visar Ymeri, thotë se një gjë e tillë është vështirë të parashikohet, pasi që e rëndësishme është se si shkohet në zgjedhje, nëse shkohet.

“Është vështirë të parashikojmë një situatë elektorale tash, meqë ka shumë rëndësi se si po shkojmë në zgjedhje (nëse shkojmë), dhe për çka po shkojmë. Pra ka rëndësi a do të shkojmë në zgjedhje si rrjedhojë e rrëzimit të qeverisë, apo si rezultat i dorëheqjes së qeverisë”, është shprehur Ymeri.

Ai ka shpjeguar se përse po e thotë këtë.

“Rrëzimi mund të jetë moment fitoreje për opozitën. Dorëheqja mund të interpretohet si ikje nga përgjegjësia dhe dorëzim para trysnisë, gjë të cilën nuk mendoj se do ta dëshironte kryeministri Kurti. Gjasat më të mëdha janë që pushteti t’i quajë zgjedhjet si një lloj referendum (në këtë rast edhe për marrëveshjen). Mirëpo kjo është e vështirë të interpretohet kështu marrë parasysh se në zgjedhje do të shkonim pas pranimit të marrëveshjes e jo para saj. Para se të pranohej edhe mund të ketë kuptim të pyeten qytetarët. Pas pranimit të marrëveshjes nuk ka kurrfarë kuptimi”, ka shtuar ai.

Ymeri mendon se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë rezultate spektakulare siç ka ndodhur në vitin 2021.

“Pastaj cili do të kishte me qenë pozicioni i VV-së karshi Asociacionit dhe Marrëveshjes në rast të zgjedhjeve? Se janë kundër? Kjo nuk ka kuptim. Prandaj nuk mendoj që këtë radhë do të kemi rezultate spektakulare në zgjedhje sikur ato të vitit 2021. Është situatë krejt tjetër që nuk ka përngjasim me atë kohë”, ka deklaruar ndër të tjera Ymeri.

Të ngjashme