ShowBiz
Ylli i K-Pop ndërron jetë në moshën 30-vjeçare
Demokracia
11:42 | 13 Prill 2024

Share:

Ylli korean Park Bo Ram ka ndërruar jetë në moshën 30-vjeçare, për shkak të një arresti kardiak. Ajo u paraqit në spital pa ndjenja e më pas, ndërroi jetë.

Lajmi i trishtë u konfirmua nga labeli i saj, “Xanadu”, i cili raportoi se janë zemërthyer që po japin lajmin e kobshëm:

“Park Bo Ram ka ndërruar jetë gjatë mbrëmjes së 11 prillit. Të gjithë artistët dhe eprorët e “Xanadu Entertainment” janë thellësisht të pikëlluar. Është edhe më e trishtë ta japim këtë lajm të papritur për fansat që mbështesin Park Bo Ram”, thuhej në deklaratën e tyre.

Më tej, ata ngushëlluan familjen e Park Bo Ram.

Ylli i K-Pop ndërron jetë në moshën 30-vjeçare

Sipas policisë, këngëtarja u gjet pa ndjenja në një shtëpi me miqtë e saj, të cilët e dërguan në spital. Ajo ndërroi jetë pikërisht në spital.

Park Bo Ram ka qenë finaliste në garën e muzikës së Korenë e Jugut, “Superstar K2” në vitin 2010. Më pas, ajo ndoqi karrierën si këngëtare dhe në vitin 2014 debutoi me këngën “Beautiful”, e cila shumë shpejt u pëlqye në Korenë e Jugut. Ajo regjistroi edhe dy këngë të tjera, një prej të cilave u lançua më 3 prill 2024, me titullin “I miss you”.

Mediat koreane thonë se ajo po përgatitej për albumin e saj të parë, teksa ndërroi jetë. Ndërkohë, vdekjet në moshë shumë të re të yjeve të pop-it korean janë bërë gjithnjë e më shqetësuese. Një vit më parë, Moonbin, anëtari i grupit ASTRO ndërroi jetë në moshën 25-vjeçare. Në tetor të vitit 2022, edhe ylli i muzikës dhe kinemasë, Lee Jihan, ishte një ndër 154 viktimave të shtypjes nga turma në Seoul. Ai ishte vetëm 24 vjeç.

 

Të ngjashme