Kanë kaluar më shumë se një vit prej kur COVID-19, një pandemi globale, “pushtoi” planetin tonë.
Edhe tani, situata është e rënduar pothuajse në tërë Europën, derisa numrat sa shkojnë e rriten në secilin shtet, ani pse vaksina është zbuluar, shkruan Demokracia.com.
Kjo pandemi padyshim se preku edhe futbollin europian, duke lënë pasoja të mëdha si në aspektin financiar, poashtu edhe në atë sportiv.
Në aspektin financiar, klubet më të mëdha në Europë u detyruan t’ua ulnin pagat futbollistëve, derisa skuadrat tash e një vit vazhdojnë të luajnë pa “lojtarin e 12-të”, tifozët.
Nga ana tjetër, me virusin korona, u prekën shumë futbollistë të njohur në Europë, duke lënë keq skuadrat përkatëse.
Demokracia.com në një përmbledhje, ka renditur disa prej yjeve më të mëdha të futbollit që e përjetuan ndjenjën e të infektuarit me COVID-19.
Cristiano Ronaldo
Ylli i Juventusit dhe Portugalisë, Cristiano Ronaldo ka qenë njëri prej shumë yjeve botëror të futbollit që është prekur nga pandemia globale COVID-19.
Futbollisti portugez ishte infektuar me virusin korona derisa ishte pjesë e grumbullimit të Portugalisë në tetorin e kaluar, derisa vetëizolimi i tij ishte më i gjatë se sa mendohej fillimisht.
“CR7” u desh të presë 19 ditë për t’u shëruar nga koronavirusi dhe për t’iu kthyer asaj që di më së miri ta bëjë – futbollit.
Me infektimin nga COVID-19, Ronaldo i kishte humbur disa ndeshje të rëndësishme, përfshirë edhe humbjen 2:0 nga Barcelona në Ligën e Kampionëve.
Mohamed Salah
Futbollisti kryesor i Liverpoolit, Mohamed Salah poashtu e ka përjetuar ndjenjën e infektimit me virusin korona.
Sulmuesi nga Egjipti ishte infektuar me këtë virus në nëntor të vitit të kaluar sa ishte pjesë e grumbullimit të kombëtares egjiptiane.
Madje, ai kishte munguar në disa ndeshje të rëndësishme për vendin e tij por edhe në një ndeshje të Premierligës ndaj Leicester Cityt, ku “Të Kuqtë” kishin fituar 3:0.
Joao Felix
Edhe njëri prej futbollistëve kryesor të Atletico Madridit, Joao Filix ishte i infektuar me virusin korona.
Futbollisti me prejardhje nga Portugalia kishte marrë këtë virus në fillim të muajit shkurt, derisa ishte dashur të vetëizolohej për një periudhë prej 13 ditësh.
21-vjeçari me t’u shëruar, i ishte bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje, duke mos pasur ndonjë “efekt anësor” tek ai.
Neymar
Superylli i Paris Saint-Germainit, Neymar da Silva ka qenë njëri prej shumë futbollistëve të klubit parisien që ishte infektuar me virusin korona.
Sulmuesi nga Brazili ishte infektuar me virusin korona në shtator të vitit të kaluar.
Pas një periudhe vetëizolimi, Neymar ishte shëruar me sukses duke iu kthyer në dispozicion skuadrës nga kryeqyteti francez.
Daniele Rugani, Blaise Matuidi dhe Paulo Dybala
Mbrojtësi italian, Daniele Rugani ishte njëri prej futbollistëve të parë në Itali që ishte infektuar me virusin korona.
Ish-futbollisti i Juventusit kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 në muajin mars, derisa u shërua në mes të muajit prill.
Ai ishte infektuar së bashku me gruan e tij.
Gjithashtu, te Juventusi, në fillet e para të pandemisë në Itali, ishin infektuar edhe Blaise Matuidi dhe Paulo Dybala, të cilët poashtu ishin shëruar pas përafërsisht një muaji.
Paul Pogba
Mesfushori i Francës dhe Manchester Unitedit, Paul Pogba ishte infektuar me virusin korona në muajin gusht të vitit të kaluar.
Si pasojë e kësaj, ai kishte humbur grumbullimin me Kombëtaren e Francës dhe ishte futur në karantinë.
Pasi ishte shëruar nga COVID-19, ai kishte thënë: “Ishte e çuditshme, më ka bërë të lodhem shumë në stërvitje”. /Demokracia.com