Sport
Yilmaz merr vendimin e papritur pasi humbi 11-metërshin ndaj Portugalisë
Demokracia
16:19 | 26 Mars 2022

Share:

Burak Yilmaz ka qenë protagonisti i Turqisë në të mirë e në të keq në humbjen 1-3 në “play off” kundër Portugalisë.

Sulmuesi i Lilës në kampionatin francez ka shënuar golin e 1-2 që ka kthyer në lojë turqit, por pesë minuta nga fundi i ndeshjes ai ka shpërdoruar një 11-metërsh që mund ta kishte çuar takimin në kohën shtesë.

Diçka më pak se 24 orë nga humbja në Porto, sulmuesi ka marrë vendimin për ta mbyllur karrierën e tij me kombëtaren turke. Sulmuesi 36-vjeçar ka shprehur të gjithë keqardhjen e tij për penalltinë e shpërdoruar që mund t’i kishte dhënë mundësi Turqisë të garonte deri në fund për një vend në finalen për një vend në Botërorin 2022. Pas ndeshjes në “O Dragao”, sulmuesi i Turqisë ka qenë i përlotur, ku ka zyrtarizuar dhe largimin e tij nga kombëtarja turke.

“Ende nuk e di se si nuk munda ta shënoj penalltinë, jam i tronditur pas gjithë asaj çfarë ndodhi. Jemi të zhgënjyer, kemi zhgënjyer të gjithë vendin tonë. Nuk kam fjalë për të përshkruar zhgënjimin tim. Kjo ndeshje ishte shansi im i fundit për të shkuar në një kampionat botëror. Ndaj kam marrë vendimin për t’i dhënë fund me Turqinë. Sapo fituam penalltinë isha i bindur se e kishim të shënuar golin.

Teksa po gjuaja topin nuk e kisha mendjen te porta, thjesht po mendoja për të ardhmen. Ndaj jam i pezmatuar, pasi nuk e çoja ndër mend se do të gaboja. Do ta shënoja këtë penallti edhe duke fjetur, do ta shënoja edhe në ëndërr. Nuk do ta kisha menduar kurrë se pas kësaj ndeshjeje do t’i jepja fund me Turqinë, por rrethanat më shtyjnë ta mbyll këtu. Vendimi im nuk është thjesht emocional. Tani është momenti që t’ua kalojmë stafetën të rinjve, gjeneratës së re. Kjo penallti do të më dalë për gjithë jetën në ëndërr”, ka thënë sulmuesi veteran, i cili i ka shërbyer për 16 vjet kombëtares turke.

Të ngjashme
Sport • 19 Prill 2025