Lajme
YIHR pas anulimit të festivalit ‘Mirëdita, Dobar dan’: Ministria e Punëve të Brendshme e ka shkelur Kushtetutën e Serbisë
Demokracia
08:40 | 28 Qershor 2024

Share:

Yourth Iniciative For Human Rights – Kosovo (YIHR KS) e cilëson si cenim të sigurisë thirrjen e autoriteteve serbe për të ndaluar realizimin e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan” në sheshin Dorqol në Beograd.

Sipas tyre Ministria e Punëve të Brendshme nuk u përpoq fare të dërgonte përforcime për ta mundësuar që ky festival të mbahet. Festival ky sipas YIHR platformë thelbësore për dialogun serbo-kosovar.

“Sot një grup prej rreth 150 huliganëve që dukeshin uniform, ndaloi trafikun në rrugën Dobraqina dhe bllokoi hyrjen e Dorcol Platz-it, ashtu që asnjë nga mysafirët e festivalit si dhe organizatorët e punëtorët e hapësirës të mos mund të hynin apo të dilnin nga oborri prej orës 12:00 pasdite. Një numër i pamjaftueshëm i anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ndodheshin në hapësirë dhe MPB nuk dërgoi përforcime, duke dhënë përshtypjen se as që kishte vullnet për hapje të festivalit.” -thuhet në njoftim.

Sipas organizatës vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndalimin e tubimit në festivalin “Mirëdita, dobar dan” është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.

“Ministria e Punëve të Brendshme e ka shkelur Kushtetutën e Serbisë, specifikisht lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit, si dhe një numër ligjesh, duke përfshirë të paktën dy nene të Ligjit për Tubime Publike. Vendosja e barrës mbi organizatorët në vend se të merren me huliganët dhe dështimi për të siguruar tubimin është kundër rendit ligjor dhe kushtetues të Republikës së Serbisë si dhe kundër standardeve e praktikave në fuqi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Sipas njoftimit të organizatës protestuesit serbë kishin etiketuar festivalin si një ‘turpësi’ dhe një fyerje për qytetarët serbë dhe kjo ka krijuar zemërimin që kemi parë sot.

YIHR thotë se festivali “Mirëdita, Dobar Dan!” nuk është armiku i shtetit, por sipas tyre huliganët me të cilët shteti është rreshtuar dhe për hir të së cilëve ka dështuar të përmbushë obligimet e veta.

“Detyra fundamentale e shtetit është të sigurojë të drejtat dhe liritë e garantuara me ligj dhe të sanksionojë në mënyrë të duhur ata që shkelin këto apo organizohen kundër të drejtave dhe lirive të qytetarëve” – thuhet tutje në njoftim.

Aktivistë e gazetarë ishin rrugës për të arritur në vendngjarje teksa mësuan për ndalimin e festivalit vetëm disa minuta para se të hynin në Beograd. Policia serbe u mohuan hyrjen dhe i udhëzuan të kthehen në Prishtinë.

Si përfundim Yourth Iniciative for Human Rights- Kosovo (YIHR KS) së bashku me organizatat e tjera partnere thonë se nuk do të ndalojmë përpjekjet tona për të vazhduar zgjerimin e hapësirave për bashkëpunim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Të ngjashme