Lajme
YiHR me aksion: Gjuha e urrejtjes s’është liri e shprehjes, ta hekë copë
Demokracia
17:11 | 10 Dhjetor 2023

Share:

Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut (YiHR) ka organizuar sot një aksion rrugor “Gjuha e urrejtjes nuk është liri e shprehjes” në kuadër të 75-vjetorit të Deklaratës për të drejtat e njeriut.

Me këtë rast u ngrit edhe një mural “Gjuha e urrejtjes ta hekë copë” në shenjë simbolike kundër gjuhës së urrejtjes për të cilën u tha se po shfaqet në institucione dhe shoqëri, duke lënë pasoja te qytetarët. Këta të fundit ndërkaq u shprehën se gjuha e urrejtjes po përdoret pa arsye.

Drejtoresha e programeve të YiHR, Rina Kadiri tha se murali me mbishkrimin “Gjuha e urrejtjes ta hekë copë” është më shumë sesa një vepër arti dhe se tregon se gjuha e urrejtjes po lë shumë pasoja te qytetarët.

Avokati i Popullit të Kosovës Naim Qelaj tha se Kosovën, 75-vjetori i Deklaratës për të drejtat e njeriut e gjen në një situatë progresi, por jo në masat e mjaftueshme.

Duke mos dhënë shifra konkrete, Qelaj tha se këtë vit ishte numri më i madh i ankesave tek Avokati i Popullit në krahasim me vitet e kaluara, gjë e cila dëshmon se duhet bërë ende punë sa i përket përmirësimit të të drejtave të njeriut në vendin tonë.

Aktivistja e të drejtave të njeriut nga Serbia Isidora Petkoviq tha se Kosova po arrin progres sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut në krahasim me Serbinë.

Ndërsa, qytetarët shprehen të ndarë sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe shprehjes së gjuhës së urrejtjes.

Sylejman Buçaj thotë se Kosova është një popull që njihet për tolerancë dhe respekt. Ndërsa, Agim Pllana shprehet kundër gjuhës së urrejtjes, pavarësisht se ku shfaqet ajo.

Edhe qytetari Mirsad Krasniqi thotë se gjuha e urrejtjes përdoret vend e pa vend.

Ndryshe, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, është miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Të ngjashme