Lajme
Xhelal Sveçla e “shkel” policinë edhe me paga
Demokracia
18:23 | 19 Shtator 2022

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike e ka nxjerrë javën e kaluar Projektligjin për paga në konsultime publik, qëllimi i të cilit është përcaktimi dhe rregullimi i sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i shtetit. Por, duket se më të shkelurit nga Ligji i Pagave do të jenë Polica e Kosovës. Atyre nuk do t’ju rritet paga sikurse punonjësve të tjerë publikë.

Kur bëhet fjalë për ndonjë aksion policor apo kur kryhet ndonjë punë me sukses, i pari që del lavdërohet dhe ‘shet mend’ është ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Por, pikërisht ky ministër ka vendosur që t’i shkel me Ligjin e Pagave, policët e Kosovës.

Projektligji për Paga që është bërë publik javën e kaluar ka vënë në pah këtë shkelje që po ua banë policëve Ministria e Punëve të Brendshme, shkruan Demokracia.com.

Me ligjin e ri të pagave, policit i është caktuar koeficienti 4.5, policit të lartë 5.6, policit të ri 4.2, përderisa kadeti policor do ta ketë koeficientin 2.

Reshteri policor, sipas projektligjit do të ketë një vlerë pak më të lartë të koeficientit sesa polici i lartë. Rreshterit i është caktuar koeficienti 6, togerit 7, kapitenit 7.4, majorit 8.2, nënkolonelit 9.2, kurse kolonelit 10.2.

Kurse, pozitat e larta udhëheqëse të Policisë së Kosovës, do të marrin paga më të larta.

Drejtorit të përgjithshëm i është caktuar koeficienti 14.5, zëvendësit të tij 12.8, kurse drejtori i departamentit në Polici 11.2.

Mirëpo, dallimi mes tyre dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës është i madh.

Në Forcën e Sigurisë, pagën më të lartë me koeficient 15, do të vazhdoj ta ketë komandanti.

Gjenerallejënant do ta ketë vlerën 14.5, gjeneralmajori 14, gjenerali i brigadës 13, kurse koloneli 12.

E një ushtari koeficienti i është caktuar 5, kurse tetarit 5.6.

Për ketë dallim në paga ka reaguar Sindikata e Policisë së Kosovës, duke thënë se janë diskriminuar.

“Edhe ligji i pagave e thotë se për punën e njëjtë duhet të paguhemi njëjtë. Mirëpo, këtu jemi diskriminuar. Si dy institucione të sigurisë, pavarësisht që FSK-ja ende nuk i ka kompetencat e plota për veprim, ne nuk po themi që të shkojmë më shumë, por pse të mos jemi të barabartë me koeficientë”, kanë thënë në këtë Sindikatë.

Sipas tyre Polica e Kosovës ka vite që nuk ka pasur asnjë rritje në pagë apo përfitim tjetër nga shteti.

“Pa i nënçmuar edhe punëtorët në sektorët e tjera publike, mirëpo Policia e Kosovës, ka më shumë se katër apo pesë vite, që asnjë përfitime, asnjë shtesë, asnjë rritje page dhe as përmirësim të kushteve të tjera nuk ka pasur. Përveç që jemi pa ligj të pagave, jemi pa sigurim shëndetësor. Mund të them që i vetmi shtet në botë që e keni Policinë pa sigurim shëndetësor jemi ne”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Projektligji për Paga ai për Zyrtarët Publikë nga e enjtja e javës së kaluar do të janë në konsultim publik.

Sveçla në një konferencë për medie ka theksuar se për 15 ditë do të jetë i hapur periudha për komente dhe sugjerime për këto projektligje.

“Janë zhvilluar me dhjetëra takime për të dëgjuar secilin propozim dhe nga secila këto projektligje, ku nga sot i keni konkluzionet tona, ku do t’i presim komentet shtesë deri në finalizimin të tyre dhe procedim të tyre deri në instanca të tjera. Për 15 ditë pune, nga nesër në mëngjes, të dy projektligjet do të janë në konsultim publik, brenda të cilës kohë, të gjithë do të kenë mundësi që ta adresojnë çdo koment apo sugjerim me këto projektligje, apo pjesë të caktuara”, ka thënë ai, duke mos dhënë shumë shpjegim rreth koeficienteve që janë paraparë aty.

Me ligjin e ri të pagave, pagën më të lartë në vend do të vazhdoj ta ketë Presidenti i Kosovës me koeficient 18, kurse pas kësaj pozite janë kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 17.5 dhe kryeparlamentari me kryeministrin, që kanë koeficient 17.

Në fund, mësimdhënësit në shkollat e mesme të lartë është propozuar të vlerësohen me koeficient prej 5.8.

Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit prej 239 euro për vitin e parë. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë të shpërndarë në 69 nivele të koeficienteve. Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm Presidenti i Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj.

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta. Paga mesatare neto, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 542 euro. Kurse, paga minimale është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. Vlera e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në rajon, pasur nga Shqipëria me 248 euro. Në Bosnjë Hercegovinë paga minimale është 300 euro, në Maqedoni të Veriut 359 euro, në Serbi 401 euro dhe në Mal të Zi paga minimale është 533 euro./Demokracia.com/

Të ngjashme