Lajme
Xhavit Haliti-Hekuran Muratit: Mos na qitni petulla në ujë siç thoshte Jakup Krasniqi
Demokracia
12:31 | 07 Prill 2022

Share:

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët opozitarë lidhur me punësimet në KEK. Ai potencoi se punësimet në KEK, s’kanë të bëjnë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe vetëm po tentohet të vendosen etiketa ekzekutivit.

Murati tha se në Qeverinë Kurti ka konkurse për ndërmarrjet publike, për dallim prej ish-qeverive që të punësuarit në KEK, Telekom dhe Postë janë dorëzuar me lista, pa konkurse.

Murati: Në qeveritë e PDK, LDK, AAK janë punësuar njerëzit me lista

“Ka një dallim substancial, fillimisht kjo s’ka të bëjë fare me LVV-në, normalisht tash kur s’ka kund të kritikohet qeverisja tentohet të gjenden 3-4 veta që kanë postuar ndonjë foto me LVV-në nga disa që janë pranuar dhe me këtë t’i ngjitet etiketa që këtu ka pasur diçka qeveria apo LVV-ja. Vetëm për krahasim, a keni dëgjuar ndonjëherë që është shpallur ndonjë konkurs në KEK, Telekom, Postë, apo kudo tjetër. Unë s’kam dëgjuar kurrë, pasi mijëra të punësuar janë dorëzuar me lista, është dërguar dhe janë punësuar njerëzit. S’ka pasur konkurs, hiç, tash ka konkurs për herë të parë, është procesi ankimor dhe kushdo që ka ankesa jemi të interesuar që çdo kush me pas të drejtën dhe t’i mbrohet ajo. Por jo me këso manipulime që të fajësohet qeveria”, tha ai.

Atij i reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se Qeveria Kurti ka kthyer institucionet në ahengje dhe dasma.

Bajrami: Institucionet në vend i keni kthyer për ahengje dhe dasma

“Institucionet në vend i keni kthyer për ahengje, për dasma, për kushëri dhe për familjarë. Qysh s’po doket skandal kur anëtarët e komisionit përzgjedhës i kanë punësuar fëmijët e tyre”, tha ajo.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, pati një reagim interesant për fjalën e ministrit Murati.

Haliti: Mos na qitni petulla në ujë

“S’po thoni kush i ka bërë këto hajni, të thuash në shumës, është tepër e madhe. Fole për Postën dhe Telekomin, po mirë ju e keni pushtetin, a ka prokurori, gjykata. Rrugët për t’u rregulluar këto çështje dhe saktësuar të vërtetën është rruga e drejtësisë dhe organeve të ndjekjes. Mos na qitni petulla në ujë që thoshte Jakup Krasniqi këtu”, tha ai.

Duke i reaguar ministrit Murati, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se qeveria s’ka dhënë ndihma për qytetarë, por lëmoshë.

Tahiri: Qeveria Kurti s’ka dhënë ndihma, por lëmoshë

“S’ke dhënë ndihma, por keni dhënë lëmosh. Ti ministër e ke pasur lehtë ta vendosësh në buxhet Ligjin e pagave”, tha ai.

Ministri Murati foli edhe për gjendjen e rëndë të KOSTT-it. Ai tha se fajtor për këtë janë ish-qeveria e udhëhequr nga PDK dhe LDK.

Murati: Vendimi i PDK-LDK e ka sjell KOSTT-in në këtë gjendje

“ZRrE-ja asokohe me një bord që ishte përcaktuar nga PDK dhe LDK, kishte vendosur që barrën e veriut t’ia vendosë KOSTT-it. Pra kjo e ka sjellë gjendjen e KOSTT këtu ku është. Sa i përket KEK-ut, në vitin 2008 ka pasur një investim 210 milionë euro, por shtrohet pyetja a është marrë vlerë asokohe. Janë ngjyrosur disa pajisje dhe janë blerë si të ri, (dhe janë) montuar. Kanë qenë rastet edhe në Prokurori. Nëse doni me pa rezultatin e qeverive të juaja të kaluara, shikoni Telekomin, KEK-u ka shpëtuar se LVV-ja nuk iu la t’ia bëni KEK-ut atë që i keni bërë Telekomit”, tha ai.

Të ngjashme