Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës për disa mandate, Xhavit Haliti, për FrontOnline ka komentuar situatën e zgjatur të bllokimit të konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar krizën aktuale si një betejë legjitime për pushtet ndërmjet pozitës dhe opozitës, por që, sipas tij, duhet të zhvillohet përmes politikës dhe jo përmes përplasjeve publike.
“Beteja politike e të dyja palëve është legjitime, është betejë për pushtet, që secila palë përpiqet ta marrë. E kam parasysh që disa thonë ‘ne luftojmë për shtet e jo për pushtet’, sepse tingëllon më bukur, por pushteti gjithmonë e kontrollon shtetin. Shteti është organizatë që disponon me të gjitha forcat dhe mbron interesat e të gjithë qytetarëve pa përjashtim,” ka deklaruar Haliti.
Duke folur për funksionimin e institucioneve në një demokraci të konsoliduar, ai ka kritikuar mënyrën se si ende në Kosovë përdoret koncepti “në emër të popullit”, duke e krahasuar me terminologjinë e kohës së komunizmit. Ai theksoi nevojën që betejat politike të kalojnë nga debatet mediatike dhe konfliktet verbale në veprim politik konkret.
“Pushteti i Kurtit gjatë mandatit të kaluar ka bërë skandale që në kushte normale nuk do të toleroheshin. Opozita nuk ka qenë aktive në terren, përveçse në media dhe pjesërisht në Kuvend, dhe mungesa e aksionit politik ka bërë që të zgjidhet një rrugë e lehtë dhe pa përplasje. Kjo solli pasoja edhe në rezultatin e zgjedhjeve,” shtoi ai për FrontOnline.
Haliti vlerëson se tashmë është momenti që lidershipi i partive të marrë përgjegjësinë dhe të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme për krizën.
“Beteja nuk është për kryetarin e Kuvendit. Afatizimi i kësaj beteje do të ishte më i mençur sesa të vazhdohet me një ‘Vatikanizim’ të papatit të Parlamentit të Kosovës. Dikush duhet të bëjë 61 vota, sepse vetëm kështu, sipas Kushtetutës, zgjidhen kryetari i Kuvendit dhe Qeveria.” potencoi ai.
Sipas tij, pavarësisht ngërçit aktual, një zgjidhje është në horizont, pasi asnjëra palë nuk është deklaruar për zgjedhje të jashtëzakonshme një proces që do të ishte i kushtueshëm për të gjithë kandidatët, partitë dhe vetë Republikën.
“Mesazhet e popullit dhe të ndërkombëtarëve janë të qarta: krijoni institucionet. Mbetja në opozitë nuk është tragjedi, por një mundësi për të akumuluar energji për fitore të ardhshme.” përfundoi ai.