Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Dega në Vushtrri, sot është mbajtur Kuvendi Zgjedhor për Forumin Rinor, me ç’rast Gonxhe Halili është zgjedhur kryetare.
Por, pikërisht prapaskenat për zgjedhjen e Halilit, në Vushtrri kanë filluar përçarjet mes LDK-së, raporton Demokracia.com.
Doruntina Pllana, e cila ishte e vetmja kandidate zyrtare deri më sot nuk ka arritur të bëhet kryetare e Forumit Rinor të LDK-së në Vushtrri, pasi që Xhafer Tahiri, kryetar i LDK-së në këtë qytet, ia ka mohuar asaj këtë të drejtë.
Pllana në një prononcim për Demokracia.com ka treguar në detaje të gjithë ecurinë e këtij procesi. Madje, edhe sesi Xhaferi i kishte ofruar asaj një marrëveshje për t’u tërhequr nga kandidimi i saj për këtë pozitë.
“Të them të drejtën kundërshtimi ka ndodhur vetëm sot në orën 10:00, në mëngjes, kur ata m’kanë ftu mu për me u dakordu për një marrëveshje, që unë me u tërheq. Përndryshe, deri më sot unë kam qenë e vetmja kandidate për kryetare të Forumit të Rinisë, dega e LDK-së në Vushtrri”, ka treguar Pllana për Demokracia.com.
Sipas saj, ka qenë vetë Tahiri ai që personalisht i ka kërkuar që të tërhiqet nga gara për të paren e Forumit Rinor të LDK-së në Vushtrri.
“Po, Gonxhja është zgjedhur. Ne ishim prej orës 10:30 të mëngjesit, në fakt edhe është shtyrë si proces për shkak që u mundojshin me arrit një marrëveshje për diçka që normal që nuk pranoj. Në momentin e fundit edhe ata dojshin që me arrit një marrëveshje, që unë me u tërheq prej kryetares edhe me u bo nënkryetare. Unë nuk e kam pranu këtë çështje, edhe vendosëm si ekip bashkë me përkrahësit e mi, me kandidu, me shku me vota ashtu edhe qysh e kërkon statuti i LDK-së. Mirëpo, nuk na e lejuan edhe si përfundim, bashkë me përkrahësit e mi na e lëshuam Kuvendin, edhe u larguam, edhe vazhdoj procesi. Edhe pse nuk është legjitim, si proces vazhdojë”, tregoi tutje Pllana.
E pyetur nga Demokracia.com se cila është arsyeja që Tahiri i ka dhënë më shumë mbështetje Gonxhe Halilit dhe cila është afërsia e tyre, ajo ka thënë se Xhafer Tahiri është mik shumë i afërt me babanë e Gonxhes.
Por, sipas Pllanës, pozita e kryetares së Forumit Rinor mund të ketë qenë edhe premtim i mëhershëm për Gonxhe Halilin, pasi që e njëjta nuk kishte arritur që të bëhej asambliste.
“Po, pasi që veç kërkuan me bisedu me mu, si pozitë do me thënë që kryetari veç e ka përkrah pak ma shumë, edhe pse do me thënë po e theksoj që deri më sot veç unë kam qenë kandidate, nuk ka pas tjetër. Kryetari është do me thënë shok shumë i afërt me babën e Gonxhes, edhe ai është shumë moti pjesë e LDK-së, edhe kanë qenë bashkë në qeveri disa herë. Kurse, për grupin tjetër të rinisë i ka fut në procese, në grupe punuese, do me thënë të afërmit e Gonxhes edhe kanë vazhdu si proces, edhe unë deri më sot për këtë nuk kam qenë e informuar. Unë jam prej vitit 2014 pjesë e LDK-së. Gonxhja është vetëm 20-vjeçare, edhe ajo është angazhuar në zgjedhjet e fundit, 2-3 vitet e fundit ka qenë kandidate për asambliste, s’ka mujt me kalu edhe tash me siguri ia kanë premtu këtë pozitë apo çka po di unë qysh ka qenë marrëveshja”, theksoi Pllana për Demokracia.com.
Pllana, po ashtu, ka bërë të ditur se në lidhje me këto pakënaqësi dhe me procesin sesi ka shkuar në zgjedhjen e kryetares së Forumit Rinor të LDK-së në Vushtrri, do të diskutojë dhe do t’i tregojë çdo detaj edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Se Xhafer Tahiri është mik me babanë e Gonxhe Halilit, Besim Halilin, e dëshmojnë edhe fotografi të publikuara në rrjetet sociale vite më parë.
Demokracia.com ka tentuar që të marrë edhe një qëndrim nga Xhafer Tahiri në lidhje me gjithë procesin e Kuvendit Zgjedhor të Forumit Rinor, por i njëjti nuk iu është përgjigjur telefonatave. Po ashtu as Gonxhe Halili nuk iu është përgjigjur telefonatave të redaksisë. /Demokracia.com/
LEXO EDHE: