Lajme
Xhaçka: Ne do ta mbështesim Kosovën në dialogun me Serbinë
Demokracia
18:20 | 25 Nëntor 2022

Share:

Kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka, sot qëndron në Prishtinë për t’i dhënë Kosovës përkrahje, ndër të tjera, për dialogun e saj me Serbinë.

Kryediplomatja Xhaçka në Prishtinë, tha se Shqipëria mbështet fuqishëm Kosovën në çdo hap të procesit të dialogut, pasi siç konsideron ajo, ky është interes kombëtar.

Ministrja Xhaçka theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia që duhet të vijë nga një marrëveshje e detyrueshme, është domosdoshmëri për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Çështja e më rëndësishme në këtë kontekst, është mbështetja ndaj dialogut Kosovë-Serbi dhe arritja e marrëveshjes së detyrueshme ligjore që sjell njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve dhe i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe në organizatat tjera ndërkombëtare. Arritja e kësaj marrëveshje është një domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën e Shqipërinë, por për mbarë rajonin tonë. Dua ta përgëzoj Qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes e para disa ditëve, që ndihmon jo vetëm në uljen e tensioneve, por edhe në nisjen e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes për normalizim e plotë të marrëdhënieve. E pa dyshim me mbështetjen e pa kufizuar të Shqipërisë në çdo hap të këtij procesi. Shqipëria e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë Kosovës në gjithë këtë rrugëtim, sepse për ne ky është interes kombëtar. Ne po ashtu i mbështesim aspiratat e Kosovës për integrim euro-atlantik”, theksoi Xhaçka.

Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas Xhaçkës, ky proces duket që më në fund ka hyrë në rrugën e zgjidhjes.

“Dy fjalë lidhur me një çështje që me të drejtë i pikëllon jo vetëm shqiptarët këtu në Kosovë, por edhe vëllezërit e tyre në Shqipëri, dhe e kam fjalën për çështjen e vizave, e cila duket se më në fund ka hyrë në rrugën e zgjidhjes. Izolimi që i është bërë Kosovës, duke iu mohuar liberalizmin e vizave është më shumë se i pa drejtë”, tha ajo.

Ndërsa, kryediplomatja e Kosovës, Gërvalla tha se dy shtetet tona motra kanë dëshmuar orientimin pro-evropian.

Ajo theksoi se me ministren Xhaçka biseduan për shumë sfida që prekin të dyja shtetet.

“Dy shtetet tona motra kanë dëshmuar orientimin pro-evropian dhe properëndimor si dhe shtytësit e progresit në zhvillimin rajonal. Përveçse biseduam për marrëveshjet e deritanishme, biseduam edhe për shërbimet e përbashkëta konsullore. Po ashtu, biseduam për mërgatën dhe koordinimin si do t’i qasemi atyre së bashku… Kosova ka përvojë të mirë në organizimin e mërgatës, kështu që së bashku mund të realizojmë aktivitete edhe shumë më tepër për të rinjtë që rriten jashtë vendit”, tha ajo.

Në kuadër të vizitës në Prishtinë, ministrja Xhaçka është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Të ngjashme