Intervista
Wisner kritikon Gjykatën Speciale në ditën e pavarësisë: Drejtësi e munguar, pa akuza dhe konkluzione
Demokracia
18:18 | 17 Shkurt 2024

Share:

Ish-përfaqësuesi special i SHBA për Kosovën, Frank Wisner, është shprehur kritik ndaj punës së Gjykatës Speciale në Kosovë.

Komentet Wisner i bëri në një lidhje për Euronews Albania, ku tha se ndaj të akuzuarve nuk ka akuza të qarta dhe “Specialja” është vonuar më shumë se duhet për të dalë në një konkluzion.

Ai tha gjithashtu se vendimi i ish-presidentit Hashim Thaçi dhe kolegëve të tij për ta sjellë në jetë Gjykatën Speciale ishte për t’u vlerësuar, pavarësisht asaj që do të ndodhte më pas.

“Bësoj shumë që drejtësia që nuk ofrohet dhe një drejtësi e munguar është një drejtësi e harruar. E vlerësoj vendimin e Thaçit dhe kolegëve të tij për ta sjellë në jetë Gjykatën Speciale.

Por mendoj se ka marrë një kohë jo të drejtë për të mos dalë në konkluzione të menjëherëshme dhe duke mos dal në një konkluzion, është një drejtësi e munguar dhe harruar.

Gjykata po merr shumë kohë që të dalë në një vendim për këtë rast. Dhe pa sjellë pikërisht akuza të qarta, kjo është një drejtësi e munguar dhe asnjëri prej nesh nuk e hamendësonte se do të vinte deri këtu”, tha Wisner.

Ish-përfaqësuesi special i SHBA në bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës, Frank Wisner, ka folur edhe në lidhje me progresin e arritur nga Kosova gjatë 16-viteve të pavarësisë.

Ish-diplomati amerikan nënvizoi se Serbia nuk e ka respektuar marrëveshjen e Ohrit, ndaj apeloi që Prishtina zyrtare të vijojë bashkëpunimin me aleatët për të rritur presionin ndaj Serbisë deri në njohjen finale.

“Për këto 16-vite nuk ka qenë e mundur të arrihet një njohje e statusit të plotë dhe që të jetohet në paqe dhe harmoni me serbët. Kjo është një punë në progres dhe mund të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave. Mund të arrihet vetëm në kombinim mes Kosovës SHBA-së dhe BE-së”, tha ai, për EuronewsAlbania.

Wisner tha se Serbia deri tani ka rezistuar në negociata dhe nuk ka respektuar premtimet e marrëveshjes së Ohrit.

“Ka vetëm një rrugë përpara për të shkuar te tryeza e negocimit duhen bashkuar forcat me aleatët me BE-në me SHBA-të që të vijojnë t’i bëjnë presion Serbisë që të sillet në mënyrë të përgjegjshme në interesin e saj kombëtar”, tha Wisner.

Të ngjashme