Intervista
Weber: Ekziston një dallim mes Kurtit dhe qëndrimit të VV-së lidhur me Asociacionin
Demokracia
15:54 | 28 Shkurt 2023

Share:

Mungesa e një dakordimi të qartë në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë do të thotë se nuk pati ndonjë përparim në bisedimet midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtura më 27 shkurt në Bruksel, thotë eksperti për Ballkanin, Bodo Weber.

Dy udhëheqësit thanë se janë pajtuar me përmbajtjen e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk e nënshkruan atë.

Propozimi i BE-së, i titulluar Marrëveshje drejt normalizimit Kosovë-Serbi, kërkon mes tjerash që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin Kosova, deri më tash, ka refuzuar ta themelojë.

Zyrtarë të BE-së, që ndërmjetësuan bisedimet, paralajmëruan takime të reja midis Kurtit dhe Vuçiqit për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes.

Pikërisht kjo, sipas Weberit, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, është indikator se në takimin e 27 shkurtit nuk kishte progres drejt arritjes së një marrëveshjeje finale, “por vetëm shtyrje të mosmarrëveshjeve për t’u diskutuar me aneksin e zbatimit”.

“Ju mund ta keni vërejtur se zoti Borrell nuk po fliste për arritjen e një marrëveshjeje, por thoshte se palët kanë rënë dakord që të mos negociojnë më tej për Marrëveshjen [drejt normalizimit Kosovë-Serbi], por t’i vazhdojnë negociatat për aneksin e zbatimit. Ndërsa, nëse e dëgjoni deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit – as që mund të dëgjohej [duke thënë] se është arritur marrëveshje”, deklaron Weber për Radio Evropën e Lirë.

“Në lidhje me këtë, duhet parë edhe propozimi evropian dhe [përmbajtja] e aneksit të zbatimit. Pra, në këtë drejtim, dje nuk ka pasur një përparim. E, në veçanti, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet pengesë. Dje nuk ka pasur shenja se palët janë më afër marrëveshjes për këtë çështje. Kështu, nëse nuk ka pasur marrëveshje për Asociacionin, dje, de facto, nuk ka pasur rezultat”, ka vijuar më tej Weber.

“Kështu që, në përgjithësi, është një ndryshim i kryeministrit Kurti dhe qëndrimit të [partisë së tij] Vetëvendosjes, në lidhje me Asociacionin. Por, për ta përsëritur, kjo do të ndodhë vetëm nëse do të ketë një marrëveshje për aneksin e zbatimit, që momentalisht nuk ekziston”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme