Lajme
Walker: Po të donte Serbia të tejkalonte të kaluarën do ta kishte njohur pavarësinë e Kosovës
Demokracia
21:28 | 03 Mars 2023

Share:

“Po të kishte dashur Serbia të tejkalonte trashëgiminë e së kaluarës do ta kishte njohur pavarësinë e Kosovës”.

Kështu thotë ish-Shefi i Misionit Verifikues të Kosovës, William Walker, në një përgjigje për Insajderin pyetur rreth frazës në Preambulën e Plan-Propozimit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku thuhet se “Palët Kontraktuese […] zotohen […] për të kapërcyer/tejkaluar trashëgiminë e së kaluarës”, ndonëse thotë se ende nuk e ka lexuar tekstin e Plan-Propozimit në fjalë.

“Nëse po flasim për të kaluarën deri në 1999, mendoj se është vështirë të tejkalohet/kapërcehet me fjalë dhe marrëveshje. Qeveria e Beogradit ka provuar t’i lëndojë dhe t’i vogëlojë për nga pesha shqiptarët e Kosovës. Nëse për këtë po flitet si ‘tejkalim i së shkuarës’ unë këtë e kam shumë të vështirë ta kuptoj. Nëse po flasim për të kaluarën pak më të afërt, këtë të viteve të fundit, kjo është më ndryshe […] por nuk jam shumë i sigurt qe e kuptoj këtë fjali ‘tejkalimi i trashëgimisë të së kaluarës’”, tha William Walker.

Walker u pyet se a mendon se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet pa u adresuar e kaluara dhe pa kërkim falje të Serbisë, ai shprehet mosbesues se një gjë e tillë do të mund të ndodhte por se shton se “kjo do të ndihmonte shumë”.

“Gjithçka që unë deri më sot kam dëgjuar më thotë që Serbia nuk do ta bëjë këtë [kërkimfalje]. Nëse Serbia do të dëshironte të kapërcente problemet e së kaluarës, ata do ta njihnin Kosovën. Kjo është themelore për çfarëdo marrëveshje. Kosova është komb. Komb tejet demokratik. Ka bërë punë të mirë për të dalë nga rrënojat e asaj çfarë Beograd i ka bërë, përfshirë luftën”, deklaroi ai.

Të ngjashme