Lajme
Wagner thotë se e ka marrë nën kontroll qytetin e Rostovit, dalin pamjet
Demokracia
08:44 | 24 Qershor 2023

Share:

Grupi mercenar rus, Wagner, thotë se ka hyrë në qytetin rus Rostov dhe se se e ka marrë nën kontroll këtë qytet, raporton BBC.

Agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar disa fotografi, ku shihen ushtarët e Wagnerit në këtë qytet.

Shefi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka postuar një video në të cilën thotë se forcat Wagner do të vazhdojnë të bllokojnë qytetin dhe se do të shkojnë në Moskë nëse shefat e mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Valery Gerasimov nuk vijnë dhe ta takojnë atë.

Autostrada M4 që çon për në Moskë është mbyllur në kufirin midis rajoneve Lipetsk dhe Voronezh, tha guvernatori i Lipetsk.

Më herët ai tha se një autokolonë ushtarake ruse ndodhej në autostradë.

M4 lidh Moskën me rajonet jugore duke përfshirë Rostovin dhe qytetin e tij kryesor Rostov-on-Don, ku janë parë njerëz të armatosur.

Grupi Wagner është një organizatë paraushtarake që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Në muajt e fundit, Prigozhin është bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë.

Në një audio-mesazh, të postuar në platformën e mediave sociale Telegram, ai tha se “një numër i madh” i luftëtarëve të tij është vrarë në një sulm të ushtrisë ruse në një kamp të Wagnerit, ndonëse nuk nxori asnjë provë që do t’i mbështeste deklaratat e tij.

“Ata që vranë djemtë tanë dhe dhjetëra mijëra ushtarë rusë [në luftën në Ukrainë], do të ndëshkohen”, tha Prigozhin.

“Ju kërkoj të mos rezistoni. Kushdo që e bën këtë, do të konsiderohet kërcënim dhe do të shkatërrohet”, shtoi ai.

“Pushteti presidencial, Qeveria, policia dhe garda ruse do të punojnë si zakonisht. Ky nuk është një grushtshtet ushtarak, por një marshim për drejtësi”, tha Prigozhin.

Të ngjashme