Lajme
VV-ja nuk ka asnjë kundërshtim që Lista Serbe merr qindra-mijëra euro nga buxheti i Kosovës
Demokracia
21:43 | 17 Janar 2024

Share:

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk ka ndonjë kundërshtim që Lista Serbe, nënkryetari i së cilës ishte organizator i sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, të marrë 324 mijë euro nga buxheti i Kosovës.

Kjo nuk u kundërshtua as nga anëtarët e VV-së në KQZ dhe as nga eksponentë të kësaj partie, shkruan Demokracia.com.

Deputetja e VV-së, Arjeta Fejza, duke folur për zhvillimet politike në vend ka deklaruar se financimi i Listës Serbe me 360 mijë euro nga KQZ-ja është obligim ligjor.

324 mijë euro u ndan sot për Listën Serbe, partinë që pas sulmit në Banjskë flitej të shpallej “organizatë terroriste”

 

Fejza ka theksuar se kjo mbetet kështu deri kur Prokuroria del me një sqarim të mirë të lidhjes së nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe anëtarëve të tjerë në rastin Banjska.

“KQZ –ja është e detyruar të veproj konform ligjit dhe ligji e obligon të ndaj mjete për të gjitha partitë që janë të regjistruara në Republikën e Kosovës. Është e rëndësishme që prokuroria të jetë shumë aktive në mënyrë që të sqarohet mirë dhe përfundimisht lidhja që ka pasur jo vetëm Radoiçiq por edhe anëtarët e tjerë. Në këtë mënyrë do të mirreshin pastaj masa konkrete në drejtim të vendosjes së një statusi për Listën Serbe e cila nënkryetarin e ka pasur të përfshirë në një sulm që është më i madhi që e ka cenuar rëndë Kosovën, nga i cili është dukur qartë që qëllimi ka qenë aneksimi i veriut, ”, ka thënë ajo në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Fejza, po ashtu, ka folur edhe për nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq për zgjedhjet e reja. E pyetur nëse do të kandidojnë sërish për kryetar të këtyre komunave veriore kryetarët aktual të Vetëvendosjes, ajo ka pohuar se kjo është absolute.

Sipas saj, Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi, ia kanë dalë të ruajnë betejën e fituar ligjore në raport me bandat kriminale, të cilat kanë synuar me çdo kusht ta destabilizojnë gjendjen në pjesën veriore.

“Absolutisht. Ne vazhdimisht kemi pasur pjesëmarrës në të gjitha zgjedhjet, në të gjithë territorin e Kosovës. Për tu përfshirë në një garë zgjedhore, qoftë lokale, qoftë qendrore, ka procedura të cilat zhvillohen brenda partive politike, mirëpo unë konsideroj se si zoti Atiq, ashtu edhe Hetemi, e kanë dëshmuar se një periudhë të jashtëzakonshme me sfida të jashtëzakonshme, me një vullnet të hekurt ia kanë dalë që të ruajnë atë betejën e fituar ligjore në raport me gjithë ato banda kriminale të cilat kanë synuar me çdo kusht ta destabilizojnë gjendjen në atë pjesë të Republikës”, ka shtuar ajo.

Fejza theksoi se Serbia vazhdon të ketë ndikim në veri dhe partitë politike nga veriu janë në koordinim me Beogradin.

“Ne kemi thënë vazhdimisht se ndikimi i Serbisë në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës ka qenë në forma të ndryshme, fillimisht nëpërmjet organizmit të grupeve kriminale të cilat janë financuar direkt nga Beogradi pastaj në formë të ndryshme duke bërë presion e duke shantazhuar qytetaret në mënyrë që ata të mos integrohen e të mos përfillin rendin ligjor në Kosovë. Ne i kemi parë edhe qëndrimet e partive në pjesën veriore që garojnë edhe në nivel nacional vazhdimisht deklarojnë se do të koordinohen me Beogradin”, ka thënë ajo më tej.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për ndarjen e mjeteve të fondit për mbështetjen e subjekteve politike për këtë vit. Në mbledhjen e mbajtur ditë më parë, u caktua që shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme 4 milionë e 800 mijë euro. Nga kjo shumë, subjektit më të madh politik në vend, Vetëvendosjes, iu kanë ndarë 2 milionë e 280 mijë euro, PDK-së 760 mijë euro, LDK-së 640 mijë euro, Listës Serbe 360 mijë euro dhe AAK-së, 320 mijë.

Të ngjashme