Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë duke vazhduar punimet në Kuvendi gjatë natës së 5 dhjetorit, pa praninë e asnjë deputeti të opozitës. Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra nga opozita dhe shoqëria civile, të cilët e kanë cilësuar këtë akt si një “puç parlamentar” dhe shkelje të praktikave demokratike.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë duke mbajtur seancë të Kuvendit në mbrëmjen e së enjtes, pa asnjë deputet të opozitës.
Në nisje të seancës së mbrëmjes, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se në rend dite janë projektligje që “nëse nuk kalojnë brenda këtij afati kohor, rrezikohen shumë procese të rëndësishme në Republikën e Kosovës”.
E mbajtja e seancës në mbrëmje ka nxitur reagim në opozitë dhe shoqëri civile.
Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur “puç parlamentar”.
“Sonte po ndodhë puçi parlamentar dhe shembja e demokracisë! Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të respektojë procedurat e rregullta të thirrjes së seancave parlamentare. Shmangia nga logjika normale parlamentare në pikë të natës, pa asnjë urgjencë është puç parlamentar dhe kontrabantim i Ligjeve pa konsultimet që i ka obligim ti bëjë Kuvendi”, ka shkruar ai në Facebook.
Tahiri: Sonte po ndodh puçi parlamentar dhe shembja e demokracisë
Ndërsa Ismet Kryeziu, udhëheqës i Institutit Demokratik të Kosovës tek ka komentuar seancën ka thënë se prania vetëm e pushtetit “krijon përshtypjen e një ndeshjeje futbolli ku në fushë luan vetëm një ekip, pa kundërshtar”.
Ndër projektligjet që janë miratuar në këtë seancë të mbrëmjes ka qenë ai për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Është miratuar edhe ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Të dy janë miratuar me nga 63 vota pro e asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Me 62 vota për kaloi edhe shqyrtimi i dytë i projektligjit për shërbimet e pagesave.
Me agjendë, Kuvendi ka qenë i paraparë t’i mbajë dy seanca. E para ka qenë e paraparë të ishte vazhdim dhe të niste në orën 10:00. Në të parashiheshin 20 pika të mbetura nga seancat paraprake. E e dyta ishte paraparë të niste në orën 14:00 me 28 pika në rend të ditës.
Gjatë seancës së mbajtur pasdite, kryeparlamentari Konjufca e ndërpreu njëherë mbajtjen për shkak të deputetëve të Listës Serbe, që ia mësynë Kuvendit për t’u nënshkruar sa për t’i ruajtur mandatet. Kur deputetët e Listës Serbe u futën në sallë e u nënshkruan, ata të Vetëvendosjes nisën konfrontimin me ta.
E pasi hyri në Kuvend, kryeparlamentari Konjufca e quajti provokim ardhjen e deputetëve të Listës Serbe. “U drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë. E patolerueshme në Kuvend kjo sjellje, një herë në 6 muaj me ardhë me keqpërdorë para të taksapaguesve. Në anën tjetër, e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel Radoiçiq. E keni guximin me ardhë në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë e kërkoj me e liru këtë sallë”, ka thënë Konjufca. Më pas, deputetët e Listës Serbe u larguan nga salla dhe seanca u ndërpre për gati dy orë.
‘’Cirk në Kuvendin e Kosovës’’, Musliu ironizon me Kurtin për seancat e natës
E gjatë seancës, që nisi me vonesë në mëngjes, u miratuan në lexim të parë dhe më pas me amendamentim të shpejtë edhe në lexim të dytë, Ligji për byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ai për banimin e përballueshëm dhe për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.