Lajme
VV-ja bie nën 29% | Sondazhi i UNDP-së një tregues se Kurti po bie shpejtë
Demokracia
12:38 | 26 Maj 2023

Share:

Pas dy vitesh të Qeverisë së Vetëvendosjes, një gjë duket e sigurtë, ish-opozitari Albin Kurti po e fundos politikisht kryeministrin Albin Kurti. Sondazhi i fundit i UNDP-së e nxjerrë partinë e tij në rezultatin më të ulët që pas fillimit të (keq)qeverisjes së Kosovës, duke e përgjysmuar.

Kjo është një pamje që është parë edhe në një shtet tjetër, ishujt e të cilit i preferon shumë Kurti, në Greqinë e para 3-4 vitesh. Edhe atje, një politikan populist me emrin Alexis Tsipras, erdhi në pushtet me premtimet e mëdha për barazi e sovranitet, shkruan Demokracia.com.

Sot, për të njëjtën çështje, ciladoqoftë ajo, mjafton ta ballafaqosh opozitarin Albin Kurti me kryeministrin Albin Kurti. Në këtë ballafaqim, ky i fundit, do të dalë një figurë komike. Lista e këtyre temave është tepër e gjatë, sepse i gjithë opozitarizmi i Kurtit është shoqëruar me kundërshtim të çdo gjëje. Madje, ai nuk ka përkrahur as Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Kështu ishte edhe për populistin dhe demagogun grek, Alexis Tsipras. Në zgjedhjet e vitit 2015, Syriza, një parti që kishte kundërshtime të mëdha me shtetet e fuqishme të Evropës, si Gjermania, kishte arritur të fitonte më shumë se gjysmën e mandateve të parlamentit grek që përbëhet nga 300 deputetë. Në atë kohë, fitorja e partisë Syriza kishte shtuar shqetësimet se Greqia mund të mos paguante borxhet dhe të dilte nga Eurozona.

Qëndrimet e kryeministrit të ri grek Alexis Tsipras dhe partisë së tij, Syriza, shoqëroheshin nga një gjuhë e fortë për politika sovrane e dinjitet kombëtar, por që të gjitha i mori era sapo ai u bë drejtues i qeverisë greke. Siç do të shkruajnë më vonë njohësit e politikave ndërkombëtare, trashëgimia e vërtetë e Alexis Tsipras është se ai la pas demagogjinë populiste sapo erdhi në pushtet. Në një vend të zhytur në borgje si Greqia, nuk kishte arritur të bënte asgjë më shumë veçse të fillonte të shlyente borxhet qindra-miliarda dollarëshe ndaj kreditorëve. Në zgjedhjet e vitit 2019, Tsipras dhe Syriza, në zgjedhjet e vitit 2019 humbën gjysmën e mandatave.

Për dallim nga Tsipras, Kurti kishte përparësi të madhe. Ai nuk e mori Kosovën në një gjendje të rëndë ekonomike. “Gjendja e rëndë dhe e pashpresë në Kosovë” ishte vetëm pjesë e propagandës së përditshme të Albin Kurtit dhe partisë së tij, që për më shumë se një dekadë të opozitarimit të tyre nuk kishin parë asnjë punë të mirë në këtë vend.

Në fakt, çmimet e larta dhe shtrenjtimi i jetës në Kosovë, filloi seriozisht pas ardhjes së Kurtit dhe Vetëvendosjes në pushtet.

Kryeministri Kurti nuk kundërshtoi shtrenjtimin e energjisë elektrike. Përkundrazi, njeriu që premtonte lirimin e saj çuditi të gjithë kur tha në Kuvend se “Aq lirë ka qenë energjia elektrike sa qytetarët nuk e kanë ditur se sa paguajnë”.

“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Kosovës sesa në këto 4 vjet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike. Aq lirë ka qenë sa nuk e kanë ditur sa paguajnë”, thoshte më tej kryeministri Kurti. Pra, njeriu që premtonte uljen e çmimit të energjisë elektrikse sepse “është tepër shtrenjtë kur rrijmë mbi gjithë këtë energji që kemi”, po tregonte anën tjetër të tij, që e kishte mbajtur të fshehur për vitet e opozitarizmit të tij.

Dhe jo vetëm për faturat, por edhe të gjitha produktet e shportës së një familjeje kosovare janë rritur.

“Buka, mielli, vaji, sheqeri, kripa, qumështi dhe arsimi në përgjithësi, me Lëvizjen Vetëvendosje dhe mua në Qeveri, këto do të përjashtohen nga TVSH-ja”, u premtonte Kurti qytetarëve të Kosovës.

“Edhe buka me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, nga 36 cent që është mesatarja e çmimeve për muajin shkurt të vitit 2014 bëhet 31 cent, sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent, qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet 78 cent”, specifikonte Kurti si të ishte një magjistar.

“Shporta e konsumatorit kosovar do të jetë më e rëndë për nga pesha dhe më e lirë për nga çmimi”, vazhdonte premtimin epik Kurti.

Ai i përsëriti këto premtime me qindra e mijëra herë. Kudo ku shkonte ai i bënte këto premtime.

Por, ditën që Albin Kurti u bë kryeministër harroi gjithçka mbi të cilën e ndërtoi opozitarizmin e tij. Ai harroi premtimet e tij për të lehtësuar jetën e qytetarëve të Kosovës që, sipas tij, po bënin jetë tepër të vështirë për shkak të çmimeve tepër të larta. Sot, për këto produkte që Kurti premtonte çmime edhe më të favorshme, qytetarët paguajnë shumëfish më shumë.

Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij nuk kanë dështuar vetëm kur bëhet fjalë për xhepin e qytetarëve.

Ligjet kundërkushtetuese që po rrëzohen njëri pas tjetrit nga Gjykata Kushtetuese dhe arroganca e pushtetit për të luftuar institucionet e pavarura ka marrë përmasa shqetësuese. Mbushja e institucioneve të pavarura me militantë partiakë po dënohet çdo ditë nga organizatat ndërkombëtare.

As në diaogun me Serbinë, ku Kurti pretendonte se mund të shkëlqente, nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e tij të mëdha. Kundërshtimi disavjeçar i Zajednicës për komunat me shumicë serbe mori fund sapo Kurti hyri në dialog. Ai e ka pranuar atë pa asnjë ndryshim. Përkundrazi, Zajednicës, që thoshte se e bosnjëzon Kosovën, ia ka shtuar edhe vetëmenaxhimin.

E kështu, lista e temave është e gjatë, që tregon qartë pse në sondazhin e UNDP-së, Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, kanë rënë drastikisht. Në krahasim me zgjedhjet e 14 shkurtit, ku VV-ja mori mbi 50 për qind të votave, në raportin e UNDP-së vetëm 28,96 për qind e qytetarëve janë shprehur se do të votonin për VV-në në rast të zgjedhjeve parlamentare. Pra, ka një rënie për 22% nga zgjedhjet e 14 shkurtit. /Demokracia.com/

Të ngjashme