Lajme
VV-ja anëtarëson veten në organizata partiake, por për tri vjet qeverisje s`arriti që ta anëtarësonte Kosovën në asnjë mekanizëm të rëndësishëm
Demokracia
09:26 | 11 Nëntor 2023

Share:

Politika e jashtme ka qenë sektori më i kritikuar në Qeverinë Kurti gjatë këtij mandati qeverisës. Kjo për faktin se gjatë gati tri viteve të qeverisjes Kosovës nuk është sjell asnjë njohje dhe nuk është anëtarësuar në asnjë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar, raportom gazeta Nacionale.

Në këtë mënyrë, Qeveria Kurti po bëhet Qeveria e parë që për gati tri vite nuk ka sjell asnjë njohje për Kosovën. Por, kështu nuk ka qenë për partinë në pushtet. Duket që drejtuesit e VV-së, që janë edhe drejtuesit e qeverisë, nuk kanë qëndruar duarkryq për të anëtarësuar partinë e tyre në organizata të rëndësishme ndërkombëtare të së majtës.

Kjo përpjekje e partisë në pushtet është kurorëzuar dje me anëtarësimin në organizatën më të madhe socialdemokrate në Evropë(PES). Madje, në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë, i cili u mbajt në Malaga të Spanjës, një shtet që nuk e njeh Kosovën, ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i VV-së.

Anëtarësimin në këtë organizatë, VV-ja e ka deklaruar me shumë pompozitet.

Megjithatë, ky anëtarësim ka nxitur edhe kritika të analistëve politik, duke ia kujtuar Qeverisë dështimet për të anëtarësuar Kosovën në ndonjë mekanizëm të rëndësishme ndërkombëtar.

Analisti Petrit Zogaj ka vlerësuar se gjatë kohës të qeverisës, VV-ja më shumë është munduar për të anëtarësuar veten në mekanizma ndërkombëtare se Kosovën.

Është e vetmja qeveri, që nga 2008, që për tri vite rresht nuk e ka sjellë asnjë njohje për Kosovën, e as ndonjë anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Ama, në anën tjetër, është e vetmja parti, që gjatë kohës që qeverisë me Kosovën, e anëtareson veten nëpër organizata partiake. E fundit qenka kjo në PES. Këta ua dinë rendin gjerave-se pari lideri, pastaj partia, e kah fundi shteti”, ka shkruar Zogaj në profilin e tij në “Facebook”.

Përmes një njoftimi për medie, VV-ja ka treguar se me votë të anëtarëve iu ka dhënë drita e gjelbërt anëtarësimit të VV-së në këtë familje politike.

PES është forca politike më e madhe e së majtës në Bashkimin Evropian, e cila është e përfaqësuar edhe në Parlamentin Evropian.

Adresimi i Kurtit në Kongres

Pas fjalës hyrëse së Kryetarit të PES, Stefan Löfven, edhe kryetari VV-së, njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, iu është drejtuar delegatëve të partive anëtare.

Ai ka falënderuar delegatët për mbështetjen.

Është po ashtu një nder të jem këtu përpara jush dhe të shpreh në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Kosova, mirënjohjen time që keni pranuar partinë të cilën unë e udhëheq në mesin e familjes së Partisë së Socialistëve Evropian. Ky pranim, si anëtare vëzhguese në hapin e parë, është një dëshmi nga ana juaj e besimit tuaj ndaj qeverisjes së mirë, efikase dhe premtuese, të qeverisë që unë e drejtoj si kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti, duke i zotuar se qeveria e tij do të përkushtohet për të zbatuar politikat socialdemokrate.

Ky besim frymëzon një përkushtim kolektiv, nga unë, partia ime dhe Qeveria që drejtoj. Prandaj, ju siguroj që do të vazhdojmë të dëshmojmë aktivisht përkushtimin tonë ndaj zbatimit të politikave socialdemokratike. Ne duam të tregojmë që progresi demokratik dhe qeverisja e mirë prodhojnë përfitime sociale dhe ekonomike. Me një përkushtimi të palëkundur ndaj sundimit të ligjit dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po krijojmë mundësi të paprecedenta për prioritete të reja — drejtësi sociale dhe barazi, punësim dhe politika të rishpërndarjes në Kosovë, duke i sjellë dobi të gjithëve. Këto veprime tona po adresojnë ato që dy vjet e gjysëm para se të vinim ne në pushtet nuk ekzistonin fare si prioritete”, ka thënë ai.

Para delegatëve, ai e ka përmendur edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Ndërkohë, siç e dini, më afër Bashkimit Evropian, një veprim tjetër agresioni është zhvilluar. Ai ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, kur vendi im u sulmua në tokën e vet, në pjesën veriore të territorit, nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të cilët ishin trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë, një fakt që është dëshmuar nga një varg provash të zbuluara pas sulmit. Një zyrtar policor nga Policia e Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Falë profesionalizmit shembullor të njësive speciale të policëve tanë, Kosova ka arritur t’i mposhtë terroristët, duke iu përgjigjur proporcionalisht këtij sulmi dhe duke shmangur një eskalim të pakontrolluar, gjë që ishte qëllimi i grupit kriminal paramilitar të kontrolluar nga Beogradi”, ka thënë ai.

VV-ja ka treguar se ky anëtarësim ka ardhur si rezultat i punës së bërë ndër vite, konsistencës në parimet socialdemokrate si organizatë dhe me shembull të udhëheqjes socialdemokrate në qeverisje.

Të ngjashme