Lajme
VV e “shteroi” deklaratën e tij kundër “Zajednicës” | Kurti dhe Osmani e takojnë senatorin që e kundërshtoi Cholletin
Demokracia
19:03 | 18 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kanë realizuar takime ndaras me Kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit Amerikan, Robert Menendez, në kuadër të Konferencës së Sigurisë që po mbahet në Mynih. Menendez së fundmi ka kundërshtuar kërkesën për themelimin e “Zajednicës”.

Kurti përgjatë së shtunës ka njoftuar në ‘Twitter’-in e tij për takimin me senatorin Menendez, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen aktive për Kosovën, shkruan Demokracia.com.

“E falënderova Kryetarin e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Menendez, për mbështetjen aktive për Kosovën në Senatin e SHBA-së”, ka deklaruar Kurti. “Diskutuam për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Edhe presidentja njoftoi shkurtazi përmes ‘Twitter’-it për një takim me Menendez, të cilin e falënderoi për angazhim të avancimit të partneritetit Kosovë-SHBA.

“E lumtur ta takojë Senator Menendez. E falënderova atë për mbështetjen e palëkundur ndaj Republikës së Kosovës dhe përkushtimin për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve bilaterale”, ka shkruar Osmani.

Menendez së fundmi është deklaruar kundër propozimit të Këshilltarit të Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, për themelimin e “Zajednicës”. Shefi i Politikave të Jashtme të Senatit amerikan ka thënë se Kosovës i duhet njohja dhe jo ndarja nëpërmjet Asociacionit.

“U shqetësova kur dëgjova Cholletin. Kjo nuk është ajo që duhet të jetë politika e jashtme e SHBA-së referuar Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor. Neve na duhet paqe afatgjate dhe ajo s’mund të arrihet me vendime të këqija afatshkurtra” “Paqja afatgjatë vjen me njohje reciproke”. “Vetëm me njohje reciproke dhe veprimet që ndodhin si rrjedhojë mund të ketë rrugë përpara për Kosovën dhe Ballkanin”, tha ai.

Deklarata e senatorit amerikan më pas u propagandua fuqishëm nga altoparlantët e VV-së. Ky citat fillimisht u nda nga i besuari i Kurtit në Shqipëri, Boiken Abazi. Më pas, këshilltari i Kurtit, Elvis Hoxha, kritikoi mediat pse po raportojnë se senatori Menendez ishte hetuar dy herë për korrupsion nga autoritetet amerikane. Ky citat u shpërnda edhe nga të përbetuarit e VV-së, Sadri Ramabaja e Rron Gjinovci.

Senatori Menendez është hetuar dy herë për korrupsion: një herë në vitin 2015, kur edhe ishte ngritur një aktakuzë kundër tij, siç raporton gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, dhe përsëri vitin e kaluar, siç raporton televizioni amerikan, CNN. /Demokracia.com/

Të ngjashme