Lajme
VV bojkoton Devollin, por jo produktet serbe- patriotizëm selektiv i sekretarit Alim Rama
Demokracia
10:41 | 21 Prill 2025

Share:

Kur vjen puna te patriotizmi, disa në Lëvizjen Vetvëndosje po i zgjedhin “armiqtë” sipas interesit të ditës. Sekretari Organizativ i VV-së, Alim Rama, ka dalë sot me një deklaratë të zjarrtë ku bën thirrje për bojkot. Por, për çudi, jo për bojkot të produkteve serbe që dominojnë tregun tonë, por për bojkot të një kompanie shqiptare.

Sipas Ramës, fajtor për mohimin e shtetësisë së Kosovës nuk janë ata që importojnë mallra nga Serbia, por Devolli një kompani vendore që ai e akuzon për qëndrime të paqarta mbi raportin me Serbinë. Me tone patriotike, ai përmend gjakun e dëshmorëve, sakrificën kombëtare, dhe madje edhe gjenocidin serb, por të gjitha këto i përdor për të nxitur një linçim selektiv ndaj një subjekti të caktuar ekonomik në vend, ndërsa hesht përballë produkteve që çdo ditë hyjnë nga Serbia nëpër dyqanet e Kosovës.

Nëse VV dhe Rama janë vërtet të shqetësuar për ndikimin serb në Kosovë, atëherë përse nuk kërkojnë ndalimin e importit të produkteve serbe, përse nuk denoncojnë bizneset që për çdo muaj derdhin miliona euro në ekonomi e Serbisë. Përse nuk bllokojnë kamionët që çdo ditë hyjnë me mallra nga shteti që ka kryer gjenocid mbi popullin e Kosovës?

Jo, sepse kjo do të kërkonte përgjegjësi reale dhe vendime të guximshme institucionale, jo vetëm statuse patriotike në Facebook dhe deklarata boshe kundër shqiptarëve që nuk janë me VV-në.

Me këtë qëndrim, VV po rrezikon të shndërrohet në një lëvizje që i godet më shumë shqiptarët kritikë ndaj partisë së saj, sesa ndikimin real serb në Kosovë. /Demorkacia.com/

Të ngjashme