Lajme
VV akuzon KQZ-në se ka bërë shkelje të afateve
Demokracia
13:39 | 02 Shkurt 2021

Share:

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi ka thënë se ende nuk është përfunduar lista përfundimtare e rregulluar që tregon saktë se sa aplikues jashtë vendit janë konfirmuar e sa janë refuzuar, shkruan Demokracia.com

Ai thotë se verifikimi përmes telefonit nuk ka përfunduar ende.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi ka thënë se KQZ ende nuk është përgatitur për fletëvotimet  jashtë vendit edhe pse prej sot është dashur të fillohet me fletëvotimin dhe votimin e votuesve jashtë vendit. Ai ka shtuar se KQZ nuk është përgatitur, duke shkelur këtë afat. Kurteshi këtë e ka konsideruar si shkelje të rëndë.

“Prej sot është dashur të fillohet me fletëvotimin dhe votimin nga votuesit jashtë vendit. KQZ ende nuk është e përgatitur dhe ka shkelur këtë afat. Është ndër shkeljet më të rënda”, ka thënë ai.

Kurteshi ka shtuar se kjo nuk është shkelja e fundit që bëhet në këtë proces zgjedhor. Ai tha se votuesit jashtë vendit ende nuk e dine se cilat parti janë certifikuar e cilat jo.

“Nuk kanë mundur të ballafaqohen me numrin e madh të aplikuesve. Vonesat për publikimin e listave përfundimtare janë evidente, votuesit jashtë vendit ende nuk e dinë se kush është certifikuar e kush jo. Verifikimi ka mbetur në mes të rrugës. Votuesit që jetojnë jashtë vendit janë me të drejtë të shqetësuar me këto shkelje”, ka shtuar ai.

Kurteshi ka thënë se KQZ, duke bërë tejkalimin e këtyre afateve, ka kaluar në arenën e kryerjeve të veprave penale.

Sipas Kurteshit njëra është shkelja, që është cenimi i të drejtës për ushtrimin e mjetit juridik, duke përmendur qytetarët jashtë vendit, të cilëve  nuk u është dhënë afat për kundërshtim.

Kurteshi ka kërkuar që me gjithë aktgjykimin e Kushtetueses, KQZ të kërkojë e mundësojë lejimin e arritjes së votave pas zgjedhjeve në Kosovë për 10 ditë.

Ndërkaq, anëtari tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alim Rama, ka konsideruar se kjo pengesë është e qëllimshme.

“Ajo që ka ndodh sot i bie sikur më 14 shkurt të shkoni me votu e ju të mos i gjeni fletvotimet. Kjo pengesë është e qëllimshme. Kam kërkuar që ta ftojmë një mbledhje urgjente sot është dashtë të bëhet certifikimi i listës. Me këto pengohet dhe rrezikohet krejt procesi zgjedhor. Me vonesat e njërit proces vonohen të tjerat. Na mundemi me rreziku arritjen e fletvotimeve për ditën e zgjedhjeve. Duke marrë parasysh që afatet sot është dita e fundit për certifikimin e listës e publikimin e fletvotimit. Nëse zvarriten këto afate munden me ardh deri te rrezikimi i procesit”, ka thënë ai./Demokracia

Të ngjashme