Lajme
Vullin: Kusht për anëtarësim në BE është të luftohet kundër Rusisë
Demokracia
11:08 | 24 Qershor 2022

Share:

Ministri i brendshëm i Serbisë, i njohur si rusofili më i madh i rrethit të ngushtë të Vuçiqit, Aleksandar Vullin, ka deklaruar se Ukraina ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE “pa kurrfarë merite dhe pa përmbushur asnjë kriter”.

Sipas fjalëve të tij, “BE-ja ka vendosur të mos pretendojë më se ekzistojnë të njëjtat rregulla për të gjithë ata që duan të anëtarësohen në këtë organizatë dhe se Ukraina është bërë kandidate për anëtarësim pavarësisht se nuk i përmbush standardet që zbatohen me kaq kujdes për vendet e Ballkanit”.

Ai “shpjegon” se Ukraina ka kapërcyer, siç thotë ai, “disa dekada presioni, shantazhi dhe burokracie dhe nuk ka pasur nevojë të mundohet me luftën kundër korrupsionit, duke përmbushur kriteret e reformave në fushën e drejtësisë dhe ekonomisë, ndërsa për bashkëpunimin me gjykatat të cilat vërtetojnë krimet e luftës as që duhet përmendur”, ka thënë shërbëtori rus në qeverinë serbe, transmeton Paparaci.

“Pjesëmarrja në luftë ishte e mjaftueshme për të filluar negociatat, e as që mund të paramendoj se cili do të jetë kushti për përfundimin e procedurës së pranimit. Shpresoj që Moldavia nuk ka premtuar se do të nisë luftën kundër Rusisë dhe se statusin e kandidatit ka marrë në besë. Nëse është kriteri vendimtar për pranim në anëtarësim apo fillim të procesit të anëtarësimit që vendi të jetë në luftë, atëherë Serbia mund të kishte filluar negociatat në vitin 1999. Mirëpo, rregulla të tilla duket se nuk zbatohen ndaj atyre që u bombarduan nga NATO, për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian, duhet të luftohet me Rusinë”, ka thënë Vullin.

Të ngjashme