Eurodeputetja Viola Von Cramon ka deklaruar sot se Serbia duhet të vendos se në anën e kujt është, duke folur kështu për raportin e ngushtë që ka me Rusinë.
E pas kësaj i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit serb, Aleksandar Vulin.
Ai tha se Serbia është në anën e së drejtës.
“Serbia është në anën e saj, në anën e së drejtës ndërkombëtare, siç ishte në vitin 1999. Serbët kanë qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë, e kjo nuk mund të thuhet kurrë për njerëzit e zonjës Viola von Cramon”, tha Vulin.
Ky reagim erdhi pasi Von Cramon ia përkujtoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se nuk është mirë të jesh në anën e presidentit rus, Vladimir Putin, pasi në këtë rast është në anën e gabuar të historisë.
Eurodeputetja tha se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në BE, pasi kjo është në interesin e të gjithëve.
“S’bëhet fjalë vetëm për Serbinë. Ne duhet të sigurohemi që Kosova të marrë vendin e saj. Nuk është në interesin tonë që Serbia të lobojë kundër pavarësisë së Kosovës. Do të doja që Kosova të ishte në të njëjtin nivel me Serbinë brenda BE-së.”.
Pas vizitës që pati në Serbi, Viola von Cramon pritet që nesër të vizitojë Kosovën.