Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të premten se bota po përballet me dy skenarë të mundshëm: një luftë të tretë botërore ose një armëpushim afatgjatë në Ukrainë.
Ai tha se ShBA-ja dhe Kina mund të ndikojnë që të arrihet kjo e fundit.
“Një skenar është nëse Perëndimi do të shkojë në drejtim të një konflikti të plotë me Rusinë, pasi nuk është krejtësisht e lehtë të ndalosh ushtrinë ruse në terren”, tha Vuçiqi në një konferencë shtypi në Beograd me Presidentin e shtetit të Bavarisë, Markus Soder. “Dhe e dyta është se me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, do të vendosej një lloj armëpushimi afatgjatë, në mos paqe e përhershme, që do të nënkuptonte një lehtësim të madh për botën”, raporton AA, transmeton Klankosova.tv.
Ai shtoi se nëse shkon në drejtim të konfliktit, askush nuk do të fitonte asgjë.
Soder ndërkaq tha se është shumë e rëndësishme që Serbia të bëhet anëtare e BE dhe vendi do ta ketë mbështetjen e Bavarisë.
“Ne jemi duke avokuar fuqimisht që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Do të ishte një turp i madh për Evropën, por mendoj edhe për Serbinë, nëse nuk shkoni në atë rrugë”, tha Soder.
Ai tha se është e rëndësishme që Serbia, “si shteti më i fortë në Ballkan, me traditë evropiane, të jetë një partner i fortë dhe i mirë”.
Soder tha se Bavaria do të hapë një zyrë përfaqësuese në Beograd, e cila do të jetë përgjegjëse për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, shkencor dhe teknik. /Klankosova.tv