Lajme
Vuçiq vajton pak: Kosova nuk dëshron zgjedhje të reja në veri, por t’i burgosë serbët
Demokracia
21:13 | 25 Korrik 2023

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka reaguar pas deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se zgjedhjet në komunat veriore do të mbahen pasi të largohen sanksionet nga Bashkimi Evropian.

Vuçiq ka thënë se Kosova nuk do zgjedhje në veri, por arrestimin e serbëve.

“Lërini të bëjnë punën e tyre. Ata nuk i duan këto zgjedhje, e vetmja gjë që duan është arrestimi dhe ngacmimi i serbëve”, ka thënë Vuçiq.

Tutje, ai ka pretenduar se të burgosurit serbë në Kosovë po keqtrajtohen, dhe propagandon duke thënë se për këtë ka raporte të konsiderueshme.

“Kërkesa ime për komunitetin ndërkombëtar është që të ndikojë në lirimin e serbëve të mbetur, veçanërisht pasi kemi raporte të rëndësishme se ata po keqtrajtohen dhe se po e kanë të vështirë të durojnë kushtet në të cilat ndodhen. Do të ishte tragjike nëse diçka do t’u ndodhte. Do të kishte pasoja të pallogaritshme”, tha Vuçiq në një deklaratë për gazetarët.

Presidenti serb, gjithashtu, ka thënë se disa nga serbët e arrestuar janë në paraburgim për më shumë se një vit.

“Është e pakuptimtë që ata të mbahen në burg më shumë se një vit për një krim siç është keqpërdorimi në resortin e skive në Brezovicë, për të cilin akuzohen. Nuk ka arsye që Milenkoviqi, Bozhoviq dhe disa të tjerë të jenë në paraburgim”, ka vazhduar Vuçiq.

 

Të ngjashme