Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar ushtrinë dhe policinë që të jenë në gjendje gatishmërie të lartë pas ngjarjeve në Ukrainë.
Njohja e “pavarësisë” së dy rajoneve brenda Ukrainës dhe futja e trupave ruse në territorin ukrainas në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ka bërë që edhe aleati i tij në Ballkan të aktivizohet.
Vuçiq ka vendosur në gatishmëri ushtrinë dhe policinë e vendit, raportojnë mediat serbe të afërta me Vuçiqin, transmeton Demokracia.com.
“Jam i shqetësuar. Pozicioni ynë nuk është i lehtë”, tha Vuçiq në fillim, duke shtuar: “Presionet politike ndaj Serbisë për shkak të vendimit të Putinit do të rriten. Vetëm ajo që kam përjetuar në tre ditët e fundit konfirmon fjalët e mia. Ne kemi një periudhë të vështirë përpara për Serbinë.”
“Sot pas seancës i dhashë urdhër Ushtrisë si komandant suprem që të përgatitet në mënyrën më të mirë në çdo kohë. Ne vazhdojmë të blejmë atë që është më e mira për mbrojtjen e vendit. Shihni se si struktura politike dhe e sigurisë e botës po shembet. Gjithçka që dinim deri dje nuk është më e vlefshme. Përkushtimi ynë për paqen duhet të jetë i fortë dhe i fortë”, ka thënë ai.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar para pak çastesh ministrin rus të Mbrojtjes, “që të sigurojë paqe” në Donetsk dhe Luhansk.
Madje raportohet se ka filluar futja e trupave ruse në dy rajonet, që disa orë më parë edhe zyrtarisht Kremlini i njohu si shtete të pavarura.
Në momentet që Putin po shpjegonte arsyet se pse ka vendosur të nënshkruaj dekretin për njohjen e këtyre dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, një konvoj ushtarak – pra me autobusë dhe tanke është shfaqur.
Kujtojmë që tashmë gjenden afër 200 mijë ushtarë rusë përgjatë vijës kufitare me Ukrainën, që prej muajsh janë në gjendje gatishmërie dhe sipas agjencive amerikane të inteligjencës, Putin mundet çdo çast të urdhërojë pushtimin e Ukrainës.