Lajme
Vuçiq: Të enjten Qeveria vendos mbi kërkesën ndaj KFOR-it që t’i lejojë trupat serbe në veri
Demokracia
13:05 | 12 Dhjetor 2022

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se të enjten, Qeveria e drejtuar nga Ana Bërnabiq do të marrë vendim që t’i dërgojë misionit të KFOR-it një kërkesë që ta mundësojë prezencën e strupave serbe në veri.

Radiotelevizioni serb“RTS”, raporton se Vuçiq i ka bërë këto deklarata pas një takimi që pati me Srdan Petroviq, pronarin e një punishte vere nga Hoça e Madhe.

“Qeveria ka seancë të enjten, dhe si po qëndrojnë gjërat, Qeveria do të marrë një vendim për t’i nisur letrën komandantit të KFOR-it.” – ka thënë ai.

Mediumi serb raporton se ka siguruar kërkesën

Mediumi serb “Novosti” ka publikuar një kërkesë për të cilën po pretendon se është ajo që Serbia do t’ia dërgojë komandës së KFOR-it, për të mundësuar vendosjen e ushtarëve dhe policëve serbë në veri të Kosovës.

Sipas kësaj kërkese, për të cilën nuk është e sigurt nëse është zyrtare, Serbia po kërkon që trupat të vendosen në veri pasi është “e nevojshme të sigurohet mbijetesa e serbëve dhe komuniteteve të tjera”.

Novosti”, raporton se në këtë tekst janë të detajuara arsyet pse “është e nevojshme” ardhja e trupave serbe.

“Kjo lëvizje e autoriteteve serbe, e cila padyshim do të bëhet pjesë e historiografisë, nëse shikohet në mënyrë strikte ligjore, sigurisht që nuk është një goditje boshe. Sepse dispozita e Rezolutës 1244 është formuluar në atë mënyrë që nënkupton detyrimin për të mundësuar kthimin e ushtrisë dhe policisë sonë.” – thuhet në këtë kërkesë, siç pretendohet nga mediumi në fjalë.

Por më tutje, raportohet se në kërkesën e Serbisë, thuhet se “komandanti i KFOR-it nuk ka kompetencë diskrecionale për të vendosur nëse do ta lejojë këtë apo jo, por është i detyruar të lehtësojë ardhjen e forcave serbe në veriun e Kosovës”.

“Kthimi i ushtrisë dhe policisë së Republikës së Serbisë nuk është thjesht një mundësi, por Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së krijoi obligim për KFOR-in që ta mundësojë këtë kthim.” – raportohet se shkruan në këtë kërkesë.

Të ngjashme