Lajme
Vuçiq: QUINT-i, Evropa dhe komuniteti ndërkombëtar – të gjithë janë gënjeshtarë
Demokracia
21:55 | 20 Prill 2023

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka quajtur gënjeshtarë të gjithë që përkrahin dhe kanë mundësuar organizimin e zgjedhjeve për të dielën në katër komunat e veriut në Kosovë.

Sipas tij, të dielën në veri “do të shënohet ditë e tmerrshme për demokracinë dhe ditë e vështirë për popullin serb”.

“Do të jetë ditë ku turpi i Evropës dhe i botës do të regjistrohet për atë që po bëjnë”, ka thënë ai të enjten në TV Prva.

Serbët janë dorëhequr kolektivisht nga institucionet e Kosovës fundvitin e shkuar, duke e imponuar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat fillimisht ishin caktuar për datën 18 dhjetor të vitit të kaluar. Por pas rritjes së tensioneve në veri dhe sulmeve mbi zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), me kërkesën e ndërkombëtarëve, zgjedhjet janë shtyrë për 23 prill. Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë Lista Serbe që ka refuzuar garimin. Vuçiqi ka ndërlidhur gjithçka me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Jemi duke marrë pjesë në zgjedhje qe 10 vjet, dhe ju ende s’e keni formuar Asociacionin për 10 vjet. Tani vijmë në këtë, do të jem i drejtpërdrejtë, është turp për QUINT-in. Do t’i mbajnë zgjedhjet dhe ata do t’i pranojnë ato”, ka thënë ai tutje, sipas “Danasit”.

“Ka kandidatë të Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit, që do t’i marrin katër për qind të votave. Turp për të gjithë, për të gjithë QUINT-in, janë të gjithë gënjeshtarë”, ka shtuar ai kur është pyetur për mungesën e kandidatëve serbë.

Të ngjashme