Lajme
Vuçiq publikon foto nga Pekini, e shfaq edhe Putinin njeriun që ka urdhërarrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare
Demokracia
15:05 | 17 Tetor 2023

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka publikuar në Instagram një fotografi të përbashkët të pjesëmarrësve të Forumit Ekonomik dhe Politik Ndërkombëtar Brez dhe Rrugë, në të cilin ndër të tjera janë ai dhe presidenti rus Vladimir Putin.

Foto e publikuar në grup nga Pekini, ku shfaqen Vuçiq dhe Putin.

Fotot tregojnë se presidenti rus Vladimir Putin qëndron në rreshtin e parë pranë mikpritësit të liderit kinez Xi Jinping, ndërsa Aleksandar Vuçiq është në rresht direkt pas tyre.

“Foto veçanërisht e dashur me Presidentin e Republikës së Kinës Xi Jinping dhe personalitete të tjera. Mikpritja kineze është e njohur gjerësisht dhe miqësitë personale janë një privilegj i veçantë. Prandaj shpresoj se së shpejti do të kemi sërish nderin ta presim mikun tonë të dashur Presidentin Xi në Serbi”, thuhet në postimin e Vuçiqit në Instagram.

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhërarrestim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte.

Në deklaratën e gjykatës u tha se urdhërarrestimi është lëshuar edhe për Maria Lvova-Belova, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se drejton dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi.

Të dy dyshohen se “kanë kryer vepra vetë, bashkërisht me persona të tjerë apo përmes personave të tjerë”, u tha në njoftimin e gjykatës.

Aty po ashtu u tha se Putin ka dështuar “të ushtrojë kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen veprat, ose lejoi kryerjen e tyre”. Sipas gjykatës, vartësit ishin “nën kontrollin efektiv të tij [Putinit], në përputhje me përgjegjësinë superiore”.

“Ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, sa i përket fëmijëve ukrainas”, tha Gjykata Penale Ndërkombëtare në deklaratën e lëshuar më 17 mars.

Me këtë urdhërarrestim, Putin bëhet kreu i tretë në botë, që gjatë kohës në pushtet, është përballur me urdhër-arrest ndërkombëtar nga tribunave për krime lufte, së bashku me liderin sudanez, Omar al-Bashir dhe atë të Libisë, Muammar Gaddafi.

Të ngjashme