Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 qershor, tha se nuk e di se cila është zgjidhja për shtensionimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe se po pret të dëgjojë propozimet e zyrtarëve perëndimorë që vijnë në Beograd.
“Vetëm nga e hëna, kur të dëgjoj Lajçakun dhe Escobarin, atëherë do t’i thërras serbët nga Kosova për t’u konsultuar. Nuk e di se çfarë ka menduar dikush si rrugëdalje”, tha Vuçiq për televizionin Prva.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, javën e ardhshme do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin.
Bashkimi Evropian iu bashkua thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës.
BE-ja gjithashtu kërkoi që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje të tilla, si dhe fillimi i punës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Vuçiq po ashtu tha se nuk e di nëse serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës.
“Më duhet të flas me ta këto ditë dhe të shoh se çfarë do të fitojë populli ynë, e jo vetëm çka do të lëshojë pe. Ne jemi gjithmonë të gatshëm dhe duam paqe dhe ulje të tensioneve”, tha Vuçiq, duke shtuar se nuk është optimist.