Lajme
“Vuçiq po ia mundëson Rusisë që të rekrutojë mercenarë serbë për të vrarë ukrainasit”
Demokracia
15:20 | 27 Gusht 2023

Share:

Presidenti Aleksandar Vuçiq po ia mundëson Rusisë që të rekrutojë mercenarë nga Serbia me qëllim që të vras ukrainasit, thekson avokati nga Beogradi, Çedomir Stojkoviq duke shtuar se deri më tani qindra serbë, nga Serbia dhe Republika Serbe, janë bërë pjesë e njësive ushtarake ruse.

Stojkoviq në një reagim në rrjetin social X, pohon se Agjencia serbe për Siguri dhe Informacion (BIA) po e inkurajon pengon rekrutimin krah forcave të Kremlinit.

“BIA për detyrë e ka të parandalojë rekrutimin për Ushtrinë ruse, si përmes veprimeve kundërzbuluese ashtu edhe veprimeve kriminale-operative. Por nuk e pengon, në të kundërtën, ajo me sjelljen e saj po e inkurajon këtë. Kreu i BIA-s është Aleksandar Vulin, bashkëpunëtori më i ngushtë i Aleksandar Vuçiqit dhe ekzekutuesi besnik i tij”, pohon Stojkoviq.

Sipas avokatit, Vuçiq së bashku me Milorad Dodikun po i inkurajojnë serbët e Republikës Serbe që të rekrutohen përkrah Ushtrisë ruse.

“Aleksandar Vuçiq fton Milorad Dodikun në të gjitha ngjarjet politike, siç është përurimi i stadiumit në Leskovc dhe ai inkurajon serbët nga Republika Serbe që të rekrutohen në Ushtrinë ruse për të vrarë ukrainasit në tokën e tyre”, shton ai.

“Po të donte Aleksandar Vuçiq, rekrutimi për Ushtrinë ruse do të ndalohej në të njëjtën sekondë, me një urdhër të thjeshtë për Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA) dhe Shërbimin Ushtarak të Inteligjencës (VBA)”, përfundon Stojkoviq.

Se BIA dhe VBA bashkëpunojnë me mercenarët serbë, këtë e ka konfirmuar me anë të një video krimineli i luftërave serbo-ruse Dejan “Deki” Beriq, duke shtuar se këto dy shërbime i kanë ofruar këtij informacione sekrete.

“Njerëz nga BIA dhe VBA-ja më jepnin shpesh informacione dhe kanë lejuar që një pjesë e tyre të publikohet”, ka pohuar Beriq me anë të një videoje.

Ditë më parë është raportuar se Rusia po i rekruton 500 mercenarë serbë që t’i dërgojë për të luftuar në Ukrainë.

Burimet e inteligjencës franceze tregojnë se deri më 1 shtator disa qindra mercenarë nga Ballkani Perëndimor, e veçanërisht nga Serbia, të arrijnë në një kamp të përkohshëm në rajonin e Moskës.

Ushtari rus me nofkën “Rusi” iu ka dërguar mesazh falënderues mercenarëve serbë të angazhuar në luftën e Ukrainës.

“Rusi” në një postim në gjuhën serbe të bërë në rrjetin social rus Telegram, kërcënon duke ftuar që ushtria serbe së shpejti do të jetë në Kosovë.

“I falënderoj vullnetarët serbë, të cilët po luftojnë krahë me ne. Do të bëjmë gjithçka që flamuri serb të valon në Prizren, kur ushtria [serbe] në Kosovë do të kthehet”, ka thënë ai.

Nga Serbia në Ukrainë për të luftuar krahë agresionit rusë kanë shkuar shumë ish-kriminelë të luftës.

As Bashkimi Evropian e asnjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar, nuk i ka bërë presion Serbisë që t’i ndalojë mercenarët për t’iu bashkëngjitur kësaj lufte.

Mediet e kontrolluara në Serbi përkundrazi vazhdojnë t’i thurin lavde Vladimir Putinit, duke mbajtur marrëdhënie të mira me Kremlinin.

Të ngjashme