Lajme
Vuçiq për Rezolutën e PE-së që bën thirrje për njohjen e Kosovës: As që na shkon në mendje ta shqyrtojmë
Demokracia
16:38 | 06 Korrik 2022

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se as që i shkon në mendje të shqyrtojë rezolutën e Parlamentit Evropian, e miratuar të mërkurën.

Rezoluta që mori shumicën e votave të eurodeputetëve bën thirrje që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve të bazohet në njohje të ndërsjellë.

“Mirë dhe sjellshëm, nuk do ta shqyrtojmë. Nuk ka ku shkon më sjellshëm se kaq. Nuk na shkon në mendje. Nuk do ta shqyrtojmë”, ka thënë Vuçiq.

I pyetur nëse do të pranonte të dialogonte me Aljbin Kurtin, Vuçiq tha se do ta bënte, por askush nuk e kishte thirrur dhe se këtu nuk sheh ndonjë kuptim.

Në deklaratën se ishte ftuar në dialog me Kurtin nga raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ai tha: “Nëse ajo e pret këtë…”.

“Por kam menduar se duhet të më thërrasë Miroslav Lajçak”, ka theksuar Vuçiq.

Rezoluta e së mërkurës u bën thirrje edhe pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Po ashtu, përmes saj shprehet mbështetja për liberalizim të vizave për Kosovën.

Rezolutat e PE-së nuk janë obliguese për BE-në.

PE-ja, një rezolutë e ka miratuar të mërkurën, edhe për Serbinë. Përmes saj shprehet keqardhje e thellë që Serbia nuk iu bashkua sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Të ngjashme