Lajme
Vuçiq për marrëveshjen finale: S’ma ka përmendur kush vitin 2024, bëhet fjalë për javë, as muaj jo
Demokracia
20:48 | 17 Tetor 2022

Share:

Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të tij për gazetarin Tim Sebastian në emisionin Zona e Konfliktit, deklaroi se zgjidhja për një marrëveshje finale parashihet të bëhet rreth vitit 2024, Aleksandër Vuçiq në Serbi ka pasur krejt tjetër përgjigje.

Gazetari i N1, kanalit partner të CNN për Ballkanin, e ka pyetur presidentin serb se “a jeni edhe ju dakord me afatin për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare deri në vitin 2024?”.

Por, Vuçiq u habit me pyetjen.

“Nuk ma kanë thënë mua 2024”, pohoi presidenti serb, për të lëshuar më pas një njoftim të papritur.

“Mua më kanë përmendur diçka shumë më pak, diçka në javë, as në muaj jo”, tha ai, derisa fliste bashkë me shefin e BIA-s, Bratislav Gashiç.

I pyetur më pas se çfarë pret nga takimi me emisarin special për Dialogun, Miroslav Lajçak, Vuçiq pohoi se “asgjë”, për të shtuar “përveç se bisedime të vështira”.

Ai nuk ka shpjeguar me tej në këtë drejtim, meqë ka thënë se konferencën po e mban për ditën shtetërore të shërbimit të inteligjencës serbe.

Vuçiq ka vazhduar me ankesa se si po i bëhet Serbisë presion nga shumë anë dhe kanë mbetur “në një rreth vicioz”.

“Kur kemi mysafirë nga Rusia, zbulojmë se ata nga shërbimet perëndimore i ndjekin nga afër. Kur kemi mysafirë nga perëndimi, atëherë të tjerët ndjekin gjurmët e tyre. Dhe të gjitha këto i thashë sepse jam shumë i shqetësuar. Jemi futur në një rreth vicioz nga i cili duket se nuk ka rrugëdalje”, deklaroi Vuçiq.

Të ngjashme