OpEd
Vuçiq për Kosovën, rajonin, rezolutën dhe shenjat e një lufte të madhe
Demokracia
09:04 | 13 Qershor 2024

Share:

Shkruan Agron Loci

Dy ditë më parë presidenti serb dha një intervistë të gjatë për medien e njohur zviceriane “Die Weltwoche”. Fokusi i intervistës ishin çështje që lidhen me Kosovën, rajonin, rezolutën, luftën në Ukrainë, marrëdhëniet e Serbisë me fuqitë e mëdha, e deri tek analiza dhe parashikimet e tij mbi situatën gjeopolitike.

Gjatë intervistës Vuçiq u përpoq të ishte shumë i kujdesshëm në përgjigjet e tij, me synimin për të prezantuar një profil tjetër në median e vendit helvet, në një vend ku në 90% të rasteve imazhi i tij dhe i Serbisë paraqitet negativ. Për rreth një orë ai u përpoq të përçonte imazhin e liderit rajonal me qëndrime tolerante larg “pozicioneve të njëanshme që janë karakteristike për udhëheqësit rajonalë”, Serbinë ta paraqiste si një vend që është i interesuar të ruajë paqen dhe stabilitetin në rajon, ai vetë atë të bariut të popullit të tij që pavarësisht kërkesave “të shpeshta dhe që ai i mirëkupton nga shumë njerëz brenda Serbisë për të ndërhyrë dhe u përplasur ushtarakisht me shqiptarët dhe NATO-n për të mbrojtur serbët në Kosovë” ai i ka refuzuar ato me pretendimin se nuk do që “të ketë qoftë edhe një të vrarë serb”. Për herë të parë Vuçiç u shfaq edhe në rolin e orakullit lidhur me zhvillimet e pritshme në nivel global. Ndërkaq akuzat nga mediat e huaja perëndimore për “politikat e tij autoritariste” ai u përpoq t’i minimizonte duke thënë “se akuza të tilla i injoron”, teksa ajo që vlen të raportohet është puna e tij që është e matshme me të dhënat ekonomike ku Serbia përfaqëson sot “mrekullinë ekonomike” në Ballkanin Perëndimor, duke qenë shumë më përpara nga të gjitha vendet e tjera të rajonit. Sigurisht që nuk la pa përmendur edhe idenë e “një Ballkani pa kufij” që në fund të fundit sipas tij do “të ndikonte në zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve”.

Nuk kish dyshim që për çështjen e Kosovës ai do të vijonte të mbronte pozicionet e tij të njohura ku fare hapur deklaroi ambiciet serbe për Kosovën pasi e ndjen veten si dikush që i janë “rrëmbyer padrejtësisht 13.5% të territorit”. Ndërkohë që dialogu me Prishtinën sipas tij “ka ngecur për faj të udhëheqësve shqiptarë që nuk përmbushin premtimet”. Gjithashtu, në formë paralajmërimi tha se “bota duhet ta kuptojë se nuk mund të ketë zgjidhje të njëanshme që shqiptarët të marrin gjithçka ndërsa serbët të humbasin gjithçka…ne e dimë që është situatë e vështirë por për këtë ne këmbëngulim për një zgjidhje kompromisi. Pasi ne kemi rrënjë shumë të thella në Kosovë dhe ti nuk mund t’i presësh ato ashtu siç dëshirojnë njerëzit në perëndim”.

Për të është e papranueshme që Perëndimi operon me “dy standarde” pasi serbët ndjehen viktimë të këtij parimi. Ndërkohë që perëndimorët ngrenë zërin për Ukrainën këtë gjë nuk e bënë për serbët, përkundrazi. Kuptohet se kur flet për standarde të dyfishta shigjeta e akuzës së Vuçiç adresohet te ShBA. Nëse për Kosovën Perëndimi ndoqi një standard të caktuar, për Ukrainën nuk po ndjek të njëjtin standard.

Kjo situatë sipas Vuçiç ka bërë që Putin pushtimin e Ukrainës ta krahasojë me atë që Perëndimi bëri në Kosovë. Pavarësisht se u shpreh i keqardhur për përmendjen e shpeshtë të “precedentit Kosova” nga ana e Putin, ai vetë e mirëkupton atë madje po të kish qenë në vend të tij edhe ai “do ta përmendte rastin e Kosovës për të justifikuar dhe argumentuar sulmin mbi Ukrainën”. Kjo ndodh, thotë ai, sepse “ne ende nuk kemi marrë një përgjigje se çfarë ka ndodhur me Serbinë në 1999 dhe në 2008”.

Duke folur për mundësitë për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës ai e konsideron gati të pamundur një qasje paqësore dhe se përgjegjësi për këtë kanë fuqitë e mëdha. Madje sipas tij situata aktuale mund të krahasohet me metaforën e trenit të Taylor, i cili “tashmë që është nisur nuk mund të ndalet më” pasi askush nuk flet për paqen por “të gjithë flasin për luftën” dhe se nuk ka dritë në horizont për ndonjë marrëveshje të mundur. Për më tepër sipas tij Perëndimi po bën gabim se “po mbivlerëson veten dhe nënvlerëson Rusinë dhe Putin”

Madje ai shkon deri në një parashikim ogurzi teksa kur pyetet nga gazetari se, a ekziston rreziku i shpërthimit të një konflikti të ri botëror thotë se : “Nuk mund të themi sesa larg një lufte të tretë botërore jemi por mund të them se jemi afër një përplasje të madhe. Dhe kjo do të ndodhë jo më larg sesa 3-4 muaj më pas. Madje ekziston rreziku që kjo të ndodhë edhe më parë”.

Në fakt, këtë rrezik ai i sheh kryesisht si papërgjegjshmëri të disa prej udhëheqësve perëndimorë ndërkohë që personin që e ka çuar botën në këtë situatë, Putin-in e bashkë me të edhe kërcënimet e tij për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë ai nuk i përmend. Për më tepër ai shkon deri atje sa të kthehet në një zëdhënës të Putin teksa deklaron se: “Në Europën e sotme të gjithë sillen si heronj të mëdhenj por ata nuk i kanë thënë njerëzve të tyre se do të paguajnë një çmim të lartë”.

Situata në Ukrainë është shumë e vështirë e ngjashme me atë të “zero-sum-game”, dhe sipas tij “jemi në buzë të humnerës dhe pa rrugëdalje” pasi një humbje e mundshme do të “ishte një katastrofë për cilëndo palë që do të dilte e humbur”. Prandaj askush nuk do të tërhiqet nga pozicionet e veta, situatë kjo që e ka çuar nivelin e rrezikshmërisë në një shkallë shumë të lartë.

Gazetari kërkoi mendimin e tij edhe për çështjet e sigurisë, të emigracionit në Europë, të përhapjes së islamit radikal apo nëse ekziston ndonjë “background racist kundër sllavëve nga ana e perëndimit që demonstrohet përmes luftës në Ukrainë”. Sigurisht se si një lider i një shteti të vogël që nuk është synimi i depërtimit të islamit radikal apo i kulturës dhe popullsisë islame si dhe si një vend që nuk ka probleme me emigracionin, pasi një pjesë e popullsisë serbe ndodhet vetë në emigrim, Vuçiç nuk mund të jepte veçse përgjigje të vakëta dhe shabllone për këto çështje ndërkohë që u shpreh se nuk sheh ndonjë racizëm ndaj sllavëve sa kohë që bota perëndimore mbështet një popull sllav si Ukraina. Gjithashtu, u shpreh i keqardhur për luftën mes dy popujve sllavë dhe për mungesën e unitetit mes tyre. Ajo që është me interes këtu është deklarata e tij se ai i paska këshilluar liderët europianë “që siguria të përcaktohet në një mënyrë tjetër jo përmes NATO-s”, por që askush nuk e paska dëgjuar, sepse “na konsiderojnë të vegjël”.

Duke folur për situatën aktuale të nderë në nivel global, Vuçiç i sheh arsyet tek konflikti mes vendeve perëndimore dhe SHBA nga njëra anë që kërkojnë të ruajnë staus quo-në dhe nga ana tjetër të vendeve të tjera përfshi Kinën të cilat “kërkojnë më shumë drejtësi dhe pjesëmarrje më të madhe në punët botore”. Duke qenë se bota po ndryshon madje shumë më shpejt se përpara “kjo situatë e re krijon kushte për përplasje dhe luftëra të mëdha”

Pavarësisht se Vuçiç e pranon se Serbia është e interesuar dhe e angazhuar për të qenë pjesë e BE në të ardhmen përsëri ai vazhdon të këmbëngulë dhe të mos ndryshojë mendim në lidhje me bashkëpunimin me Kinën, e cila nga shumë vende të BE shihet si një kërcënim për sigurinë e kontinentit. Këto vlerësime ai i quan si “fantazi të shumë njerëzve në perëndim që kërkojnë dhe krijojnë armiq imagjinarë”. Për të i rëndësishëm është përparimi ekonomik dhe social i Serbisë dhe “tek Kina ai nuk sheh një armik, por një partner për të realizuar synimin për prosperitet ekonomik për popullin e tij”. Madje ai shkon dhe më tej teksa thotë se: “… ne nuk jemi kukulla të askujt, askush nuk mund të na diktojë vendimmarrjen tonë, ne marrim këshilla nga Brukseli, Washingtoni dhe Moska, por nuk vendosim duke u bazuar mbi ato, por nga vetja jonë … kjo është diferenca mes nesh dhe shumë të tjerëve…nëse të tjerët vendosin duke u bazuar në to atëherë për çfarë i duan qeveritë e tyre?”.

Një vend të veçantë në intervistë zuri edhe konflikti në Gaza çështje që Vuçiç e shfrytëzoi për të bërë një paralelizëm me rezolutën mbi gjenocidin serb në Srebrenicë. Sipas tij kur u shpërnda projekt rezoluta për Srebrenicën shumë vende pyesnin se përse tani kjo projekt rezolutë? Po ajo që po bëjnë izraelitët në Gaza nuk është genocid ? Vuçiç pavarësisht se nuk ka një përgjigje për këto pretendime, kalon në hamendësime, të cilat pa të drejtë ja atribuon atyre që e iniciuan dhe e votuan rezolutën. Sipas tij : “… përgjigja e tyre sigurisht jo zyrtare ishte se këtë po e bëjmë me Bosnjën dhe Serbinë se është më e thjeshtë…që të bësh diçka të tillë për Gazën nuk na lejojnë amerikanët dhe të tjerët… gjithashtu, po e bëjmë me ju për të treguar që ne nuk i urrejmë myslimanët ne godasim serbët…”

Përsëri Vuçiç luan rolin e viktimës, përsëri aludon dhe ngre hipoteza që sa kohë që nuk ka referenca të sakta është e vështirë t’i vërtetosh. Aludimi është i qartë ne jemi viktima të politikës amerikane dhe paguam çmimin që duhet të paguanin izraelitët. Sipas logjikës së tij rezoluta e Srebrenicës është e orkestruar nga Washingtoni për të larguar vëmendjen nga gjenocidi që po ndodh në Gaza. Për fat të keq në vend të një mea culpa të ndjerë nga presidenti serb që qysh në rini ka qenë pjesë e niveleve shumë të larta të politikës serbe ku u planifikua dhe u ekzekutuan politikat e gjenocidit dhe spastrimit etnik përfshi masakrën e Srebrenicës ai ka kurajën dhe akuzon të tjerët. Në fakt Vuçiç u ndje mirë gjatë të gjithë kohës së intervistës. Ai tha atë që dëshironte të thoshte dhe nuk tha shumë gjëra që duhej ti thoshte. E tëra u duk si diçka e porositur pasi gazetari që realizoi intervistën e deklaroi hapur simpatinë e tij për serbët.

Në një moment të intervistës u deklarua se edhe ai nuk kish qenë dakord me rezolutën për Srebrenicën pasi nuk e konsideronte atë gjenocid, por thjeshtë “një masakër”, një “incident të tmerrshëm”. Në një vend si Zvicra ku Serbia dhe Vuçiç në media kanë një imazh shumë negativ, gazetari u përpoq sadopak ta “ritushonte” atë. Madje edhe në pod castin e tij të së hënës në mëngjes ai foli me superlativa dhe përshtypjen pozitive që i kish bërë një lider i tillë si Vuçiç për qetësinë e tij, racionalitetin, vizionin dhe largpamësinë. Megjithatë për ne, që e njohim politikanin Vuçiç prej gati 3 dekadash, pak rëndësi ka imazhi fals që përpiqet të shesë gazetari. Ai në dukje përpiqet të paraqitet modern, ndërsa në thelb nuk është veçse prototipi i politikanit serb që i ka rrënjët në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

Të ngjashme
OpEd • 17 Qershor 2024