Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka komentuar rezulatet e zgjedhjeve në katër komunat veriore me shumicë serbe duke pretenduar se këtej e tutje do të ndodhin “ndryshime tektonike”.
Në adresimin e tij para qytetarëve, presidenti i Serbisë u shpreh se nuk do të prezantonte analizë të rezultateve zgjedhore, por do të prezantonte ndryshimet tektonike që sipas tij ndodhën dje në Kosovë.
“…analiza jonë nuk duhet të jetë sipërfaqësore dhe e cekët, sepse gjithmonë jemi të lumtur ta pranojmë se ndodhi humbja e Albin Kurtit dhe regjimit të tij. Po, kjo është e qartë,” – tha Vuçiq.
Por, sipas tij populli serb në katër komunat me shumicë serbe i kishte dhënë mesazh edhe bashkësisë ndërkombëtare, raporton Kosovo-Online.
“Dje, populli serb tregoi që ata duan komplet qasje tjetër, mbi të gjitha nga komuniteti ndërkombëtar. Kur e them një gjë të tillë, i referohem fuqive perëndimore. Populli serb po kërkon më shumë respekt, dialog, dhe dialog të vërtetë, por jo zgjidhje të imponuara,” – u shpreh presidenti serb.
Vetëm 3.7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote votuan dje në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, duke e cënuar rëndë kësisoji legjitimitetin e kryetarëve dhe asamblistëve të zgjedhur.
Dy kryetarë të zgjedhur ishin nga Vetëvendosje dhe dy të tjerë nga Partia Demokratike e Kosovës. Këto të dyja ishin partitë e vetme parlamentare në vend që morën pjesë.
Sipas Vuçiqit, zgjedhjet e djeshme dëshmuan debaklin elektoral të Kurtit dhe Quintit.
Ai po ashtu u shpreh se ky rezultat zgjedhor për gjithë Kosovën ishte historik.
Sipas tij, populli serb kishte treguar se sa gabim e kishte pasur komuniteti ndërkombëtar kur e kishte mbështetur politikën e Kurtit dhe jo ata.