Lajme
Vuçiq pas bisedës me Palmer: Jemi për kompromis të vërtetë me Kosovën
Demokracia
18:04 | 15 Mars 2021

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditën e sotme ka pasur një bisedë me të dërguarin special të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ku kanë diskutuar lidhur me çështje që i përkasin vendit dhe rajonit. Sipas mediave serbe, Vuçiq dhe Palmer kanë folur edhe për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi biseduar për shumë çështje të rëndësishme, si dhe të gjitha dallimet që ekzistojnë midis nesh”, citohet të ketë thënë Vuçiq gjatë bashkëbisedimit me Palmer. Më tej, mediat serbe thonë se Vuçiq ka theksuar që Serbia që ai drejton e ka me përparësi politikën e jashtme dhe gjetjen e zgjidhjes për ngërçet në rajon.

Ndërkohë nga ana e tij, zyrtari amerikan ka thënë se një nga interesat prioritare të SHBA-së është stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor.

“Presidenti Vuçiq theksoi posaçërisht se Serbia do të vazhdojë të përpiqet për arritjen e një kompromisi të vërtetë dhe të qëndrueshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke mbrojtur interesat e serbëve atje, si dhe duke ruajtur shtetin dhe interesat kombëtare të Serbisë”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e presidencës serbe.

Palmer theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe shtoi se ai pret që dialogu të vazhdojë së shpejti, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe duke rikonfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për dialog dhe bisedime për çështje të diskutueshme.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu rëndësinë e lirive të mediave në rajon, situatën ekonomike, si dhe pasojat që ka lënë pandemia në ekonomitë e të gjitha vendeve, me theks në masat e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik midis Serbisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme