Lajme
Vuçiq nesër i hedh edhe më shumë benzinë zjarrit, i takon serbët e Kosovës në Rashkë
Demokracia
16:23 | 12 Prill 2023

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nesër në ora 12 në Qendrën Kulturore Gradac në Rashkë do të takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Siç njofton Zyra për Bashkëpunim me Media e Vuçiqit, në takim do të marrin pjesë kryeministrja Ana Bërnabiq dhe anëtarë të Qeverisë së Serbisë, transmeton Demokracia.com.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë sot se përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova në takimin me presidentin, kryeministrin dhe ministrat serbë “do ta përcjellin qartë se si jetojnë serbët në Kosovë”.

“Edhe një herë do të paraqesim gjithçka që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti po bën me qëllim që t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë, duke filluar nga arrestimet dhe akuzat, e duke përfunduar me tentativën e vrasjes së (Milan Jovanoviqit pranë urës së Bistricës),” tha Simiq për televizionin Pink.

Disa qindra qytetarë të Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut sot morën pjesë në një shëtitje proteste të thirrur nga Marina Jovanoviq, bashkëshortja e Milan Jovanoviqit, i cili u qëllua nga pjesëtarët e policisë së Kosovës në Urën e Bistricës të hënën në mbrëmje. Mediat serbe dhe politika në Serbi po mundohet ta keqpërdorin rastin e Jovanoviqit, i cili në tentativë për t’iu ikur policëve të Kosovës, u plagos nga të shtënat. /Demokracia.com/

Të ngjashme