Lajme
Vuçiq i tronditur me letrën e 56 deputetëve që kërkojnë njohjen e Kosovës, përmend edhe njohjen nga Ukraina
Demokracia
19:46 | 08 Gusht 2023

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se e ka parë letrën e 56 deputetëve evropianë dhe amerikanë që kërkojnë njohjen e Kosovës dhe qasje më të ashpër ndaj Serbisë dhe se është krenar që e fajësojnë atë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbrojtjen e interesave të popullit serb në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Mal të Zi.

Vuçiq tha në konferencën për media se kishte parë një letër në të cilën ishte sulmuar “ad personam” dhe në të cilën ai ishte fajësuar “për ndihmën e popullit të Republikës Srpska”, transmeton Demokracia.com.

“Unë po bëj probleme në Kosovë, sepse nuk e njoh pavarësinë. Mediat thonë se letra është kundër Vuçiqit, por mua më drejtohet vetëm formalisht dhe në thelb është kundër Serbisë. Unë jam fajtor që nuk e kam njohur pavarësinë e Kosovës dhe kështu kam shkaktuar destabilitet dhe probleme, ka thënë Vuçiq.

I pyetur për disa njoftime se Ukraina mund ta njohë Kosovën, Vuçiq tha se Ukraina është një vend mik i Serbisë dhe ata kurrë nuk kanë pasur konflikte apo probleme me atë vend.

“Unë gjithashtu shpresoj se nuk do ta kemi, shpresoj që presidenti Volodymyr Zelenskiy të jetë shumë më i mençur dhe më i zgjuar se kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Ukrainës, Moreshko”, tha Vuçiq.

“Imagjinoni nëse Ukraina e njeh Kosovën, në një ditë humbet gjithçka, gjithë kredibilitetin politik, nuk po flas fare për marrëdhëniet me Serbinë. Pas kësaj, si mund të thotë se i përmbahet Kartës së OKB-së”, pyeti Vuçiq.

Të ngjashme