Një president që shmang Evropën nga ajri, e zhgënjen Amerikën në heshtje dhe i përkulet Moskës me përulësi — ndërsa përpiqet të fshehë gjurmët e rrëshqitjes nga Perëndimi.
Nuk ka qenë vetëm një udhëtim. Ka qenë një akt simbolik. Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, është nisur drejt Moskës për të marrë pjesë në paradën e 9 Majit , me vetëdijen e plotë se ky fluturim do ta fuste përfundimisht në listën gri të Perëndimit. Por mënyra si e ka realizuar këtë udhëtim është një rrëfim më vete: një përzierje paranoje, strategjie dhe izolimi diplomatik.
Edhe pse është raportuar fillimisht se ka udhëtuar me linjë ajrore të rregullt, burime të sigurta konfirmojnë se Vuçiqi ka përdorur avionin presidencial. Për të shmangur gjurmimin dhe për të humbur radarin e opinionit ndërkombëtar, janë përhapur qëllimisht spekulime për një fluturim civil. Por rruga që ka ndjekur avioni i tij tregon gjithçka që duhet ditur për orientimin real të Serbisë.
Avioni presidencial serb nuk ka fluturuar mbi asnjë vend të Bashkimit Evropian. Ai ka ndjekur një korridor të zgjatur dhe të përkulur: Maqedoni e Veriut, Greqi, Turqi, Armeni dhe Azerbajxhan. Një itinerar që nuk i ngjan një udhëtimi zyrtar të një lideri evropian, por më shumë arratisjes së një aleati të braktisur që kërkon strehë në lindje.
Në Baku, Vuçiq ka qëndruar qëllimisht për një ndalesë të sigurisë , jo për ndonjë detyrim logjistik, por për të shmangur çdo rrezik gjatë fluturimit final drejt Moskës, përmes një hapësire ajrore që mbahet e tensionuar nga lufta në Ukrainë. Në dukje, është një akt i kujdeshëm. Në përmbajtje, është një rrëfim për frikën nga rruga që ka zgjedhur vetë.
Fluturimi drejt Moskës nuk ishte vetëm i gjatë dhe i fshehtë. Ai ishte gjithashtu i penguar. Autoritetet lituaneze kanë ndaluar zyrtarisht fluturimin e avionit shtetëror serb përmes hapësirës ajrore të Lituanisë. Në deklaratën e tyre, ndalesa është justifikuar me “sensitivitet teknik dhe diplomatik”, një formulim që në gjuhën diplomatike nënkupton tension, mospajtim dhe qëndrim të qartë politik.
Kjo ndërhyrje shënon një veprim të pazakontë nga një vend i BE-së dhe NATO-s ndaj një presidenti në detyrë të një vendi evropian. Por ajo nuk është më befasuese në kontekstin aktual, ku Vuçiqi shihet gjithnjë e më shumë si njeriu që përpiqet të ruajë lidhjet me Kremlinin, edhe kur rrugët zyrtare po i mbyllen një nga një.
Kjo po ashtu nuk është hera e parë që Vuçiq shmang përballjen direkte me Perëndimin. Vetëm pak javë më parë, gjatë një vizite në SHBA, ai përjetoi një krizë shëndetësore në resortin Mar-a-Lago dhe u largua nga Amerika pa realizuar takimin e planifikuar me Donald Trumpin. Burime të afërta sugjerojnë se ai nuk mundi të përballonte presionin diplomatik dhe atmosferën e acaruar nga paralajmërimet amerikane që pjesëmarrja në paradën e Moskës do ta fuste Serbinë në një rrugë pa kthim.
Vuçiqi e dëgjoi paralajmërimin. Por zgjodhi ta injorojë.
Në Beograd, këtë lëvizje disa e quajnë heroike, një mbrojtje ndaj pavarësisë së Serbisë përballë shantazhit euroatlantik. Por në realitet, është një akt i një presidenti që është lodhur duke ruajtur fasadën evropiane dhe që tashmë e përçmon çdo deklaratë që vjen nga Brukseli. Ai e di që rruga e integrimit është bllokuar. Jo vetëm për shkak të Kosovës, por sepse ai vetë nuk beson më në të.
Kjo është arsyeja pse udhëtimi drejt Moskës, me avion të fshehur dhe ndalesë të heshtur, ka domethënie më të madhe se çdo fjalim. Është fotografia ajrore e një presidenti që largohet nga Perëndimi me vetëdije. Ai nuk po përpiqet më të fshehë zgjedhjet e veta. Thjesht po përpiqet të fshehë mënyrën si po e braktis rrugën që Serbia ka ndjekur prej dy dekadash.
Vuçiqi është i përqafuar nga Putini. I dyzuar nga shoqëria e vet. I sëmurë në Amerikë. I përçudnuar në Evropë. Por mbi të gjitha, është i vendosur. Dhe kur një lider vendos që edhe qielli duhet t’i shërbejë politikës së tij, atëherë shenja nuk është vetëm e një fluturimi të ndaluar, por e një rënieje të pashmangshme.