I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për N1 se ai mendon se fillimi i një përmirësimi të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është në horizont.
“Dhe duhet të them se takimi mes Presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti ishte vërtet i mirë, shumë profesional dhe i qetë. Ishte inkurajuese të shihje atë nivel të hapjes në praninë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borell dhe zotit Lajçak”, tha ai.
Escobar tha se ata e inkurajuan Prishtinën që të jetë më konstruktive dhe fleksibile dhe se e sheh se ka vullnet për këtë. Ai ndër të tjera tha se askush nuk duhet të pësojë për shkak të targave dhe se të dy palët duhet të fokusohen në zgjidhjet evropiane.
“Mendoj se duhet të harrojmë narrativen se Kosova është Serbi dhe të kalojmë në atë që Kosova dhe Serbia janë në të vërtetë Evropë”, theksoi ai, shkruan B92.
Pas deklaratave të Escobar, është kundërpërgjigjur presidenti serb, Aleksandër Vuçiq i cili tha se nuk mund të harrojë se Kosova është pjesë e Serbisë.
Vuçiq theksoi se ne kemi mbështetjen e shumicës së botës dhe për këtë arsye Prishtina nuk mund të bëhet pjesë e Interpolit dhe OKB-së.
“Në këtë moment në sirtarin tim dhe në sirtarin e ministrit të Jashtëm janë shtatë dokumente nga tërheqja e njohjes. Ata po punojnë vazhdimisht që të njihen nga Vietnami dhe Kenia. Ne kemi punuar gjithashtu. E kemi rritur numrin nga katër në shtatë”, shtoi ai.
Ai tha se KFOR-i gënjen dhe se sipas Marrëveshjes së Brukselit, në veri të Kosovës ekziston një Drejtori Veriore, pa miratimin e së cilës policia shqiptare nuk mund të hyjë në veri të krahinës.
“Lërini fëmijët të luajnë pak, të mendojnë se janë të fortë. Ne e ruajmë paqen për hir të vetvetes. Dhe ata nga KFOR-i duhet ta shikojnë shpejt Marrëveshjen e Brukselit,” përfundoi ai.