Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed al-Nahyan, në një konferencë për media ka theksuar se me këtë të fundit ka biseduar për procesin e dialogut me Kosovën, por edhe për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 23 prill në katër komunat veriore.
“Nuk ka dyshim që besojmë se normalizimi i marrëdhënieve mes nesh dhe Prishtinës është i një rëndësie thelbësore, që ne duhet të jetojmë pranë njëri-tjetrit, me njëri-tjetrin dhe të përpiqemi t’i bëjmë ato marrëdhënie shumë më të mira”, tha Vuçiq, raporton Euronews.rs.
Por ai shtoi se “ka gjëra që Serbia as nuk mund ti diskutojë”.
Vuçiq theksoi Beogradi do të bëjë më të mirën për të arritur normalizimin real me Prishtinën.
“Unë besoj se nëse pala tjetër është e përkushtuar për këtë, atëherë ne mund të sigurojmë një jetë normale për të gjithë njerëzit që jetojnë në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Kur ka folur për zgjedhjet e 23 prillit në Veri, ai ka theksuar se “do ketë dalje shumë të ulët në zgjedhje, që do të cenojë legjitimitetin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet”.
“Në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, ku komuniteti serb përbën mbi 90 për qind të popullsisë, nuk është regjistruar asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb. Kjo situatë mund të cenojë legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet, pasi nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb”.