Lajme
Vuçiq e ndjek Veriun e Kosovës me kamera, si Big Brother, thotë se ushtarët e FSK po shëtisin atje
Demokracia
15:23 | 10 Maj 2022

Share:

Serbët që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës por edhe në dy qytetet tjera, Leposavic dhe Zubin Potok, janë pothuajse plotësisht të dirigjuar nga Beogradi dhe politika e Aleksander Vuçiq.

Kjo ka bërë që Serbia dhe Vuçiq të shtrijnë influencën e tyre në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Madje Vuçiq me një veprim të bërë në konferencën e tij për media të mbajtur para katër ditësh, në një formë ka “konfirmuar” se ka qasje edhe në kamerat e sigurisë që janë të vendosura në veri të Mitrovicës, duke e pasur të mundur kështu të kontrollojë edhe lëvizjet që bëhen në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në një konferencë për media të mbajtur të premten e javës së kaluar, në monitorin prapa shpinës së tij ka publikuar pamje që pretendon se janë të datës 5 maj, e që sipas tij shfaqin një makinë të Ushtrisë së Kosovës që lëviz ne pjesën veriore të Mitrovicës.

Vuçiq në këtë konferencë fillimisht ka shfaqur edhe letrën që mban nënshkrimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, për marrëveshjen e bërë me NATO-n se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk futen në pjesën veriore pa një marrëveshje paraprake me misionin e KFOR-it që është në kuadër të NATO-s.

“Shikoni, kjo është ajo çfarë Thaçi ka nënshkruar, që FSK-ja nuk do të duket në veri të Kosovës. Publikoni pamjet. Këto janë foto të ditës së djeshme dhe të pardjeshme, një veturë me tabela të FSK-së në veri të Mitrovicës”, ka thënë Vuçiq.

Ai tutje ka vazhduar me pretendimet e tij se Kosova po i shkel të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, përfshirë edhe këto me NATO-n

“Ata po shkelin çdo marrëveshje që e kanë nënshkruar”, ka thënë Vucic, duke shtuar se Kosova nuk shqetësohet për marrëveshjet dhe sipas tij po “synohet të provokohen serbët më qëllim të shkaktimit të incidenteve”.

 

Të ngjashme