Lajme
Vuçiq: Dialogu mund të rifillojë në maj, na kërkohet vetëm ta njohim pavarësinë e Kosovës
Demokracia
12:44 | 07 Mars 2021

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se shteti i tij është i pashpresë për shkak se në vazhdimësi po i kërkohet që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se shteti i tij është në një situatë shumë të vështirë në lidhje me Kosovën, pasi që sipas tij, të gjithë shtetet perëndimore duan që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, transmeton Dmeokracia.com.

Pas seancës së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Vuçiq theksoi se dialogu më Kosovën mund të vazhdojë në fillim të majit, ndërsa tha se Serbia është në një pozitë të pashpresë.

“Serbia është në një pozitë shumë të vështirë kur bëhet fjalë për Kosovën. Pres që dialogu të rifillojë në muajin maj. Por më lejoni t’ju them diçka të gjithë juve qytetarëve të Serbisë se në tërë hemisferën perëndimore kërkohet nga Serbia që ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe ky është pak a shumë thelbi. E gjitha kjo është kryesorja dhe përshtatet me një fjali, pjesa tjetër është ose pak a shumë e njëjta dhe nuk ka ndryshuar shumë. Përveç se tani ajo dëshirë do të jetë më e theksuar dhe më drastike se më parë. Serbia do të mbrojë interesat e saj”, theksoi Vuçiq.

Në këtë konferencë Vuçiqi po ashtu foli edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel, ku theksoi se do të insistojnë në zbatimin e tyre e në veçanti krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, transmeton më tutje Demokracia.com.

“Serbia do të insistojë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç parashikohet nga marrëveshja në Bruksel dhe marrëveshja e zbatimit në 2015”, ka thënë Vuçiq.

I pari i Serbisë po ashtu tha se në këtë drejtim, iu referohet fjalëve të përfaqësuesve europianë, si dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, cili ditët e fundit ishte në Prishtinë dhe Beograd, me të cilin Vuçiq tha se janë dakorduar që duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura.

“Shpresoj se disa nuk do të mendojnë se mund të ndodhë që të mos zbatohen marrëveshjet dhe të presin që Serbia të pranojë atë që nuk mundet”, tha Vuçiq. /Demokracia.com/

Të ngjashme