Lajme
Vuçiq degradon Petar Petkoviqin, drejtorin e të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë
Demokracia
14:21 | 24 Janar 2022

Share:

Serbia ka degraduar Petar Petkoviq drejtorin e të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë.

Petkoviq është emëruar në këtë pozitë në muajin 8 tetor 2020, ndërsa me një vendim të nënshkruar me 13 Janar 2022 nga Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabic atij i është vazhduar mandati vetëm edhe për 3 muaj.

Ky vendim besohet se vjen si rezultat i pakënaqësisë së Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq me punën e Petar Petkoviq dhe të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë” e cila ka dështuar vazhdimisht për të minuar shtetësinë e Kosovës, pasi që institucionet e Republikës së Kosovës, e kanë dekonstruktuar para bashkësisë ndërkombëtare rolin destabilizues të së kësaj zyre, transmeton Demokracia.com.

Vendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, për moslejimin e mbajtjes së referendumit ilegal të Serbisë në territorin e Kosovës, e ka diskredituar Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe retorikën e tij para serbëve, i cili tani po mundohet të rikuperohet me vendime të tilla që fajin dhe dështimin e tij ta bart tek zyrtarët tjerë si Petkoviq.

Për më tepër degradimi i Petar Petkoviqit shihet si presion dhe “kërcënim” i drejtpërdrejtë për të nga Presidenti Vucic para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, për të cilat Vuçiq deklaroj se planifikon të mbahen edhe në Kosovë. Vuçiq tashmë ka përgatitur “kokën e turkut” e cila do të sakrifikohet pas dështimit të serishëm të Serbisë dhe Vuçiqit në Kosovë dhe shihet qartë se ai është Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë” Petar Petkoviq.

Vuçiq e kishte poshtëruar Petkoviqin edhe publikisht në një adresim para mediave pas takimit me delegacionin e Republikës së Kosovës në Bruksel. Derisa Petkoviq ishte munduar të ndihmonte Vuçiqin i cili për disa momente kishte mbetur pa tekst, ky i fundit i kishte reaguar ashpër duke e qortuar dhe poshtëruar Petkoviqin për ndërhyrjen. /Demokracia.com/

Të ngjashme