Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pretenduar këtë të premte se asnjëherë nuk bënë lojëra të dyfishta as për çështjen e Kosovës dhe as për atë të Bosnje e Hercegovinës, përkundër veprimeve të tij destabilizuese që ai bënë në këto dy vende nëpërmjet marionetave të tij në vendet përkatëse.
“Unë jam gjithmonë shumë i sinqertë dhe i drejtë. Dhe kurrë nuk luaj lojëra të dyfishta, as për çështjen e Bosnje dhe Hercegovinës, as për çështjen e Kosovës, as për asgjë tjetër”, pretendoi Vuçiq gjatë vizitës së tij në RS, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.
Kreu i Serbisë potencoi se shteti që ai udhëheqë “është i gatshëm që t’i ndihmojë të gjithë; popullin e Republika Srpska (entiteti serb në BeH) dhe ata nga komuniteti boshnjak”.
Ndërkaq, ai theksoi se Serbia “gjithmonë respekton integritetin territorial të BeH, Marrëveshjen e Dejtonit [marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995] dhe Kushtetutën, si dhe të drejtat e tre kombeve [boshnjak, serb dhe kroat] përbërëse dhe dy entiteteve në BeH”.